Pretendimi: Presidenti i Turqisë Erdogan merr vendimin e madh që ndryshon historinë
Verdikti: Mungon konteksti, clickbait
————————————————————
“Sulltani ngre në këmbë Turqinë! Erdogan merr vendimin e madh që ndryshon historinë nga Izraeli dhe Irani,” lajmëron artikulli i portalit “Shqip”. Titulli bombastik ka tërhequr natyrshëm vëmendjen e lexuesve dhe në Facebook lajmi është parë mbi 290 mijë herë.
Megjithatë, lexuesi kurioz që pret të lexojë për këtë vendim historik, do të zhgënjehet me të hapur artikullin.
Në brendi të tij zbulohet se “vendimi i madh që ndryshon historinë nga Izraeli dhe Irani” i referohet një deklarate të presidentit turk se Ankaraja do të rrisë ndjeshëm fuqinë e saj ushtarake përballë tensioneve në rritje mes Izraelit dhe Iranit. Ky është një vendim që po merret nga të gjitha vendet e NATO-s si pjesë e zotimit për të rritur në nivelin e pesë përqind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) financimet ushtarake të tyre. Turqia është pjesë thelbësore e Aleancës të Atlantikut të Veriut si një nga aktorët kryesore të sigurimit të forcave njerëzore ushtarake, por së fundi duke rritur ndjeshëm edhe industrinë e saj ushtarake në prodhimin e armatimit dhe dronëve.
Duke përdorur një titull gjysmak dhe mashtrues, faqja e detyron lexuesin të klikojë disa herë për të lexuar në përfundim një informacion që nuk ka lidhje aspak me atë çka titulli lë të kuptohet. Dukshëm qëllimi i faqes është që të mblidhen sa më shumë klikime dhe jo të informojë qytetarët. Duke kapitalizuar mbi frikën apo interesin e qytetarëve për të kuptuar nëse qeveria ka ndërmarrë ndonjë hap në lidhje me këtë situatë, faqja çorienton lexuesin me një titull që nuk përputhet aspak me brendinë e lajmit.