Pretendimi: Ndërprerja masive e energjisë që ndodhi në Spanjë dhe Portugali në 28 prill u shkaktua nga energjia diellore

Verdikti: Mungon konteksti

———————————————————–

Pas ndërprerjes së papritur të energjisë elektrike në Spanjë dhe Portugali më 28 prill 2025, disa media shqipfolëse raportuan se energjia diellore ishte shkaktarja e tyre.

Megjithatë, në brendinë e artikujve shpjegohet se operatori spanjoll i rrjetit të transmetimit të energjisë elektrike REE (Red Electrica de Espana) “nuk e zbuloi dot origjinën e dy “ngjarjeve”, pra se çfarë i shkaktoi ato.”

Më tej, “ajo që pranoi REE është se shkaku i dy “ngjarjeve” që çuan në shembjen e sistemit duhet kërkuar në juglindje të gadishullit, në rajonin e Extremadurës. Ky është një nga territoret që gjeneron më shumë energji elektrike, falë pranisë së centraleve hidroelektrike dhe diellore dhe nga centralet bërthamore më të fuqishmit të vendit. Kreu i REE tha se “është e mundshme” që shkaku i asaj që ndodhi qëndron në sistemet fotovoltaike.”

Eshtë e vërtetë se kreu i Red Electrica (REE) Eduardo Prieto deklaroi se dy incidente, me sa duket të pavarura, që ndodhën brenda 1.5 sekondave nga njëri-tjetri në Spanjën jugperëndimore e çekuilibruan frekuencën e rrjetit. Ai tha se kjo shkaktoi ndërprerjen e termocentraleve me një kapacitet prej 15 gigavatësh (GW) – pothuajse gjysma e kapacitetit aktiv të termocentralit në atë kohë.

Devijimet shumë të mëdha dhe të papritura mund të shkaktojnë një defekt kaskadues, ku luhatjet ekstreme të frekuencës shkaktojnë elementë dhe mekanizma në termocentrale të tjera (dhe konsumatorë të mëdhenj), të cilët më pas i nxjerrin automatikisht këto termocentrale nga rrjeti.

Prieto e përshkroi si mjaft të mundshme që ky efekt domino të jetë shkaktuar nga termocentralet diellore.

A do të thotë kjo se ndërprerja e energjisë u shkaktua nga “mbiprodhimi i energjisë diellore, që iu bashkua një problemi të balancimit të sasisë së energjisë së futur në rrjet dhe asaj të absorbuar nga kërkesa e konsumatorit”?

Shkaku i ndërprerjes së energjisë elektrike nuk është sqaruar përfundimisht. Në kohën e ndërprerjes, energjia diellore siguronte rreth 60% (19.3 GW) të energjisë së disponueshme në rrjetin spanjoll. Duket se termocentralet diellore dominonin prodhimin e energjisë elektrike në jugperëndim të Spanjës.

Sistemet fotovoltaike nuk supozohet të fiken papritur, sipas rregulloreve standarde për prodhuesit e energjisë elektrike, në fuqi në BE që nga viti 2016.

Këto rregullore përcaktojnë që sistemet fotovoltaike duhet të zvogëlojnë gradualisht furnizimin e tyre me energji nëse frekuenca e rrjetit tejkalon vlerën kufitare prej 50.2 Hz për shkak të një teprice energjie.

“Në Spanjë, udhëzimet përkatëse për lidhjen me rrjetin u prezantuan në fund të viteve 2000 për të siguruar që sistemet fotovoltaike të mos shkëputen nga rrjeti në rast të një defekti të papritur të rrjetit”, tha për DW Sönke Rogalla, një studiues në Institutin Gjerman Fraunhofer ISE, instituti më i madh i kërkimit diellor në Europë. Ai shpjegoi se këto veti u verifikuan para funksionimit si pjesë e procedurave të certifikimit.

Të dhënat e disponueshme deri më tani tregojnë se, edhe nëse të gjitha termocentralet diellore do të ishin hequr nga rrjeti në të njëjtën kohë, nuk do të kishte një mungesë prej 15 GW, por të paktën prej 20.4 GW, pasi prodhimi fotovoltaik në kohën e ndërprerjes së energjisë ishte të paktën 17 GW. Megjithatë, edhe termocentralet bërthamore, të cilat furnizonin 3.4 GW, u hoqën nga rrjeti si masë paraprake.

Është dokumentuar se lidhjet e rrjetit elektrik të Spanjës me Francën dhe Portugalinë u kufizuan gjatë ndërprerjes së energjisë elektrike. Megjithatë, është ende e paqartë nëse kjo ishte shkaku i ndërprerjes në Spanjë apo një nga efektet domino.

Ajo që është e sigurt është se Spanja eksportoi një total neto prej 3 GW pak para shkëputjes nga rrjeti. Si rezultat i ndërprerjes së linjave të energjisë, kjo tepricë u bë papritmas e disponueshme në Spanjë. Një incident i tillë padyshim do të ishte një barrë e madhe për çdo rrjet elektrik.

Studiuesi i Fraunhofer, Rogalla, konfirmoi se kjo mund të ketë kontribuar në ndërprerjen e energjisë, por ai kishte një perspektivë të ndryshme: “Ndërprerja e energjisë në Spanjë nuk ishte një dështim i sistemit fotovoltaik, por ndoshta një dështim i sistemit”, tha ai, duke shtuar se “në këtë drejtim, e shoh atë si një kujtesë urgjente se ristrukturimi i sistemit të energjisë paraqet sfida të mëdha”.

Me sistemet e instaluara sot, nuk është e mundur të operohet një rrjet elektrik vetëm me energji diellore dhe të erës, tha ai. 

Qeveria gjermane në largim përshkroi një rrugë të mundshme për të bërë përpara në një plan veprimi. Autoriteti rregullator, Agjencia e Bashkimit Evropian për Bashkëpunimin e Rregullatorëve të Energjisë, ose ACER, ka paraqitur tashmë një propozim për zbatimin e zgjidhjeve të reja në nivel të BE-së.

Beatriz Corredor, presidente e Red Eléctrica Española (REE), tha në një intervistë se ishte gabim të fajësohej pjesa e lartë e energjisë së rinovueshme për ndërprerjen në Spanjë. “Këto teknologji janë tashmë të qëndrueshme dhe kanë sisteme që i lejojnë ato të funksionojnë si një sistem gjenerimi konvencional pa asnjë problem sigurie”, tha ajo.

Në një konferencë për shtyp, kryeministri spanjoll Pedro Sánchez i quajti pretendimet se energjia e rinovueshme ishte fajtore për ndërprerjen “gënjeshtra”, duke sulmuar ata që e lidhën ndërprerjen me përdorimin e energjisë së erës dhe diellit nga Spanja. “Ata që e lidhin ndërprerjen me mungesën e energjisë bërthamore ose gënjejnë ose tregojnë injorancën e tyre”, tha ai. 

Si përfundim, teoria se ‘një mbifurnizim me energji diellore’ ishte arsyeja e ndërprerjes së energjisë elektrike nuk është vërtetuar. 

Mbështetësit e energjisë së rinovueshme theksojnë se energjia diellore dhe e erës janë burime të besueshme energjie dhe shkojnë krah për krah me sigurinë energjetike.

Stephen Jarvis, asistent profesor i ekonomisë mjedisore në London School of Economics and Political Science, po ndiqte ndryshimet në rrjet ndërsa Spanja përpiqej ta rikthente rrjetin në punë. Ai vërejti se energjia diellore, e erës dhe hidroelektrike ende po ofronin energji në Spanjë, në një kohë kur energjia bërthamore, gazi dhe qymyri ishin plotësisht jashtë funksionit.