Ende pa zgjidhje rimbursimi i biletës së transportit urban në Lezhë

Bashkia Lezhë nuk ka shërbim urban dhe as fonde të planifikuara në buxhet

13

Një muaj para zgjedhjeve lokale të majit 2023, kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, në kërkim të mandatit të dytë, premtoi se do të rimbursonte gjysmën e biletës së transportit urban për të moshuarit dhe njerëzit në nevojë.

“Në buxhetin e vitit 2024 do vlerësohet rimbursimi i gjysmës së biletës së transportit urban për moshën e tretë dhe kategoritë e tjera në nevojë,” shprehej Ndreu gjatë një takimi me dhjetëra të moshuar në fshatin Shënkoll.

Në Lezhë nuk ka shërbim transporti publik brenda zonës urbane, por lëvizjet drejt dhe nga njësitë administrative mbulohen nga operatorë privatë të licensuar nga Bashkia, ndaj premtimi për rimbursimin e gjysmës së biletës i kryebashkiakut Ndreu i referohej pikërisht këtij shërbimi ndërqytetas që përdoret nga të moshuarit dhe kategoritë në nevojë.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2023, Pjerin Ndreu u rizgjodh me 18,299 vota, duke marrë drejtimin e Bashkisë Lezhë për herë të dytë. 

Dy vite më vonë

Në vitin 2024, verifikimet e Faktoje.al treguan se Bashkia Lezhë nuk kishte asnjë fond të planifikuar për premtimin e kryebashkiakut Ndreu. Edhe këtë vit, Bashkia Lezhë konfirmoi zyrtarisht se situata nuk ka ndryshuar.

“Aktualisht nuk ka një plan strategjik për transportin publik në territorin e Bashkisë Lezhë për zonën urbane, por qyteti lidhet me njësitë administrative nëpërmjet operatorëve të licensuar nga Bashkia. Ky shërbim nuk është reflektuar në buxhetin afatmesëm 2025–2027 për shkak të prioriteteve,” pohon Bashkia, pas një kërkesë për informacion. 

Sipas Bashkisë, e vetmja masë që lidhet me çmimin e biletave është një vendim i Këshillit Bashkiak që prek invalidët e punës, e miratuar vite para premtimit elektoral të Ndreut.

“Me Vendimin e Këshillit Bashkiak Nr.36, datë 28.03.2018 është parashikuar që vetëm invalidët e punës të përfitojnë 50 % ulje në çmimin e biletës,” sqaron Bashkia Lezhë. 

Nga ana tjetër, Bashkia bën me dije se është partnere në projektin ndërkombëtar SMART LAND, të financuar nga Interreg South Adriatik, nëpërmjet të cilit janë zhvilluar dy trajnime për të analizuar gjendjen e transportit publik dhe për të propozuar zgjidhje afatgjata. Megjithatë, deri më tani, asnjë plan konkret apo afat për krijimin e një shërbimi urban nuk është miratuar.

Banorët e Lezhës ndajnë mendime të ndryshme mbi nevojën për transport publik. Një pensionist nga Ishull-Shëngjini, e sheh transportin urban brenda qytetit si të panevojshëm, por e konsideron të domosdoshëm për fshatrat përreth. 

Ndërsa një banore nga fshati Ungrej, shprehet se mungesa e autobusëve e kufizon lëvizjen e banorëve: “Sikur edhe njëherë në ditë me qenë, mirë do të ishte”

Ekspertët lokalë e cilësojnë sektorin e transportit si “problematik”, pasi aktualisht mbështetet vetëm nga operatorë privatë me fugonë që nuk kanë orare fikse, stacione apo sistem biletash.

Përfundim

Bazuar në të dhënat zyrtare dhe në verifikimet në terren, premtimin e kryetarit të Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, për rimbursimin e gjysmës së biletës së transportit urban për të moshuarit dhe njerëzit në nevojë e kategorizojmë të pambajtur.  

Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.