Pretendimi: Medikamenti Ivermectin kuron kancerin, por ky trajtim mbahet i fshehtë nga Farmaceutika

Verdikti: Mungon konteksti

———————————————

Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se ilaçi antiparazitar Ivermectin kuron kancerin, por kjo veti e tij është fshehur nga industria farmaceutike për interesat e tyre financiare.

Ivermectin është një mjekim antiparazitar, i cili në fillim nisi të përdorej te kafshët. Që nga 1987, Ivermectin përdoret tek njerëzit për të trajtuar parazitët si morrat e kokës dhe infektimet e lidhur me to si zgjebja.

Gjatë pandemisë, përdorues të rrjeteve sociale shpërndanë pretendimin e paprovuar se Ivermectin ndihmonte në kurimin apo parandalimin e Covid-19. Në 2021, Administratës amerikane për Ushqimin dhe Barnat (FDA) iu desh të lëshonte një paralajmërim zyrtar që këshillonte qytetarët mos të përdornin pastë Ivermectin për kafshët.

Dr. Susanne Arnold, nga Qendra e Kancerit Markey në Kentucky, ShBA tha për Associated Press se ka patur studime paraklinike që eksplorojnë përdorimin e Ivermectin dhe ilaçe të ngjashme për të ngadalësuar rritjen e qelizave kancerogjene në laborator, me disa rezultate interesante. Megjithatë, ajo nënvizoi se studime të tilla nuk kanë vërtetuar se ilaçet funksionojnë te njerëzit.

“Unë nuk di asnjë raport të provave klinike që kanë dhënë rezultate të suksesshme te njerëzit me kancer,” tha Arnold.

Disa studiues besojnë se Ivermectina mund të jetë premtuese kur përdoret në kombinim me ilaçe të tjera dhe po kryejnë studime të mëtejshme.

Peter Lee, kreu i Departamentit të Imuno-Onkologjisë në City of Hope, një nga organizatat më të mëdha për hulumtimin dhe trajtimin e kancerit në ShBA, drejton një ekip që po studion nëse Ivermectin mund të ndihmojë në trajtimin e kancerit të gjirit në kombinim me ilaçe të tjera.

“Ka sigurisht një të vërtetë që Ivermectin është në gjendje të vrasë qelizat e kancerit,” tha ai për AFP. “(Por) ajo duhet të kombinohet me një aktivizim imunitar. Dhe ne jemi në procesin e zbulimit të kësaj tani.”

Lee tha se regjimet e barnave që ekipi i tij po studion funksionojnë vetëm kur jepen në doza specifike në kohë specifike.

“Thjesht duke thënë se dikush mund të marrë pak Ivermectin nga një veteriner dhe mund t’ia hedhw – kjo nuk do të funksiononte aspak,” tha ai.

Ivermectin ka efekte anësore si skuqje të lëkurës, të vjella dhe dëmtim të mundshëm të mëlçisë.

“Ne dimë gjithashtu se Ivermectin në doza shumë të larta, në fakt mund të jetë toksike,” tha Lee. “Pra, padyshim, nuk duhet të jetë: shko gjej ca dhe merre vetë.”