Pretendimi: Një studim i fundit ka zbuluar se kimioterapia nxit përhapjen e tumoreve në trup

Verdikti: Mungon konteksti

Në një postim në Facebook, po qarkullon lajmi se një studim nga një universitet kinez ka treguar se kimioterapia nxit përhapjen e tumoreve. Postimi për më tepër përhap panik duke e cilësuar studimin si “tronditës,” dhe duke thënë se ai “vë në dyshim” metodat tradicionale për të trajtuar kancerin. Studimi në fjalë është nxjerrë jashtë kontekstit, dhe për më tepër nuk merr parasysh mënyrën sesi studimet shkencore funksionojnë dhe sesi ato mund të aplikohen më gjerësisht. 

A screenshot of a phone

AI-generated content may be incorrect.

Ky postim në shqip është bazuar në një artikull që është publikuar në gazetën kineze South China Morning Post. Ky artikulli raporton mbi një studim të kryer nga një skuadër shkencëtarësh kinezë, i publikuar në revistën mjekësore Cancer Cell me 3 korrik 2025. Megjithëse synimi i kimioterapisë është të vrasë qelizat kancerogjene, studimi i zhvilluar mbi minjtë me kancer në gji, provoi një efekt anësor të rëndësishëm. Kimioterapia mund po ashtu të “zgjojë” qelizat kancerogjene të fshehura dhe jo-aktive në trup. Kur këto qeliza “zgjohen,” ato shumohen dhe përhapen në pjesë të reja të trupit, edhe nëse tumori origjinal është zhdukur.

Ky studim është i rëndësishëm, por studime të ngjashme mbi mundësinë që qelizat kancerogjene të përhapen në pjesën tjetër të trupit kanë ekzistuar dhe më përpara. Ky ishte rasti i një studimi të publikuar në vitin 2017 nga një grup studiuesish në Shtetet e Bashkuara. 

Megjithatë, duke përdorur një titull të sensacionalizuar siç është “kimioterapia nxit përhapjen e kancerit,” ky lloj postimi heq këto studime nga konteksti i tyre më i gjerë. Për shembull, si në rastin e studimit të viti 2017-të dhe atij të vitit 2025, bëhet fjalë për studime paraprake, të cilat do të duan punë të mëtejshme në pacientë dhe jo vetëm në studime mbi kafshët. Pra do të duhen disa eksperimente në klinika me pacientë të ndryshëm që të shihen rezultate të plota. Këto studime tregojnë se disa ilaçe kimioterapie, në një mjedis eksperimental, mund të shkaktojnë rritjen e qelizave joaktive te minjtë. Kjo nuk do të thotë që kimioterapia në thelb “shkakton” përhapjen e kancerit te pacientët. 

Një nga pasojat e një titulli të tillë në mediat sociale është ulja e besimit në përdorimin e kimioterapisë si një nga metodat e rekomanduara nga mjekët për trajtimin e kancerit. Për shumicën e llojeve dhe fazave të kancerit, kimioterapia mbetet një trajtim i rëndësishëm që zgjat mbijetesën dhe zvogëlon rrezikun e metastazës. 

Edhe në studimin e kryer nga shkencëtarët kinezë, ata konfirmojnë se një kombinim i kimioterapisë me disa trajtime specifike mund të ndalojë metastazat dhe riaktivizimin e qelizave kanceroze në pjesë të tjera të trupit. Pra kimioterapia vazhdon të jetë një metodë e rekomanduar dhe nga shkencëtarët që kanë vënë në dukje disa nga efektet anësore.