Ende asnjë shenjë ekzistence nga projekti Blue Beam

12

Pretendimi: Projekti sekret Blue Beam ka nisur të implementohet

Verdikti: E paprovuar

————————————————————–

Një video që po qarkullon në rrjetet konspiracioniste, përfshi ato shqipfolëse, tregon për Projektin Blue Beam, sipas së cilit qeveria do të koordinojë ngjarje që do t’i çojnë njerëzit të përqafojnë një fe të re për të krijuar të ashtuquajturin Rend të Ri Botëror.

Projekti Blue Beam është një teori konspiracioni e formuluar në vitin 1994 nga kanadezi Serge Monast. Ai pretendonte se organizatat globale, përfshirë NASA, synojnë të prezantojnë një “fe të epokës së re”.

Teoria e ‘Rendit të Ri Botëror’ është një teori konspiracioni që pretendon se ekzistojnë elita të fuqishme sekrete me axhenda transnacionale që komplotojnë për të zëvendësuar shtetet-kombe me një qeveri të vetme autoritare.

Sipas teoricienëve të Blue Beam, NASA dhe OKB kanë filluar të prodhojnë teknologji shumë të përparuar. Duke përdorur këtë teknologji, e gjithë Toka do të shohë një simulim në qiell që do të krijohet duke përdorur satelitë, të vendosur në vende të ndryshme në Tokë. Sipas teorisë konspirative, duke përdorur këtë metodë dhe në bashkëpunim me Antikrishtin, do të krijohet një simulim i Ardhjes së Dytë dhe të gjithë njerëzit në Tokë do të bashkohen nën një fe të vetme nën kuadrin e Blue Beam. Në këtë mënyrë, vendosja e kontrollit të plotë do të bëhet më e lehtë dhe fazat e tjera të nevojshme për vendosjen e “Rendit të Ri Botëror” nuk do të zgjasin shumë.

Sipas autorit, Projekti Blue Beam është i ndarë në tre faza. E para konsiston në fshirjen e të gjithë njohurive historike të njerëzimit dhe fillimin e mbjelljes së idesë se një pushtim nga alienët është i mundur, diçka që, sipas tij, po ndodhte tashmë. E dyta është projeksioni holografik i imazheve që simulojnë anijet kozmike ose Krishtin.

Së fundmi, faza e tretë është e ashtuquajtura “komunikim elektronik dypalësh telepatik”, e cila nuk është gjë tjetër veçse transmetimi i frekuencave të pretenduara të valëve të trurit për të komunikuar drejtpërdrejt me njerëzit dhe për t’i bërë ata të besojnë se po flasin me Zotin. Në fund të këtij procesi, kaosi do të ishte i afërt, dhe atëherë do të vinte Rendi i Ri Botëror për të rivendosur dhe kontrolluar gjithçka.

Është interesante se teoria Blue Beam, e botuar nga Monast, është identike me një koncept të mëparshëm nga Gene Roddenberry, një skenarist i serialit fantastiko-shkencor Star Trek. Në skenarin e Roddenberry, alienët përpiqen të pushtojnë Tokën dhe fillimisht dërgojnë udhëheqës fetarë, të krijuar nëpërmjet simulimit teknologjik, në Tokë me qëllim shkatërrimin e besimit midis njerëzve dhe më pas përhapjen e fesë së tyre. 

Si zakonisht, postimi nuk shoqërohet me asnjë provë për asnjë nga pretendimet e mësipërme, as ndonjë tregues që të mbështesë ekzistencën e një projekti të tillë.

Problemi më i madh me teorinë është se askush nuk ka arritur të fillojë një rend të ri botëror që nga botimi i librit në vitin 1994, me shumicën e qeverive botërore që mbeten të preokupuara me problemet e tyre lokale. Askush nuk ka prodhuar ndonjëherë prova empirike të besueshme në lidhje me ndonjë pjesë të Blue Beam.

Mbështetësit e teorisë së konspiracionit Blue Beam deklaruan fillimisht se “prisnin që ajo të fillonte në vitin 1995”. Pasi autori i teorisë, Monast, vdiq në vitin 1996, ata thanë se skema ka të ngjarë të fillonte “në fund të mijëvjeçarit”. Kanë kaluar 25 vjet që atëherë dhe asgjë në teori nuk ka ndodhur.