Faqja zyrtare në rrjet dhe llogaritë në rrjete sociale të Radio Televizionit Shqiptar ranë pre e një sulmi kibernetik në Maj 2025. Sipas mediave, kryesisht atyre nga Kosova, por edhe në Shqipëri, sulmi erdhi nga hackera serbë. Ky përfundim duket se u arrit nisur nga mesazhi që hackerat shpërndanë në faqet zyrtare të RTSH. Aty u shfaq harta e Kosovës, mbuluar nga flamuri serb dhe fjalët “Kosova është Serbi”. Në fakt, institucionet në Shqipëri thanë për Faktoje se ngjarja është ende duke u hetuar dhe se nuk disponohen informacione zyrtare mbi identitetin e këtij sulmi kibernetik.
Jona Plumbi
Në datën 19 Maj, faqja zyrtare e Radio Televizionit Shqipëtar, transmetuesi shtetëror në vend, ranë pre e një sulmi kibernetik. Në faqet zyrtare dhe llogaritë në facebook dhe Instagram të RTSH-së u shfaq harta e Kosovës e mbuluar nga flamuri serb dhe mesazhi “Kosova është Serbi”.


Lajmi u përhap me shpejtësi.
RTSH shperndau një njoftim ku lajmëroi se “llogaria ka qenë subjekt i një sulmi kibernetik, duke shkaktuar pastime të paautorizuara”.

“Po punojmë për të rikthyer sigurinë dhe për të fshirë çdo përmbajtje të papërshtatshme. Ju këshillojmë të mos ndërveproni me postimet e dyshimta dhe të raportoni çdo aktivitet të pazakontë.” – shkruante njoftimi i RTSH i publikur në rrjetet sociale të transmetuesit.
Ky publikim tashmë nuk gjendet në faqen zyrtare të RTSH-së.
Ndërkohë me një kërkim ne rrjet rezulton se publikimet e paautorizuara kanë vazhduar edhe disa ditë pas sulmit fillestar.
Në 24 Maj u shpërnda ky publikim:

Publikimet përsëri shpërndanin të njëjtin mesazh dhe përsërisnin narrativën serbe të “abuzimit të popullit serb”.
Disa media në Shqipëri por edhe Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, njoftuan se sulmi kishte ardhur nga hakera serbë.




Në fakt, pretendimi se sulmi kibernetik ka ardhur nga Serbia është i pavërtetuar. Pavarësisht se mesazhet e shpërndara përputhen me narrativën e pushtetarëve serb, në fakt nuk ka ende asnjë verifikim për autorësinë e sulmit.
Faktoje u interesua pranë Agjencisë Kombëtare për Sigurinë Kibernetike lidhur me ngjarjen. Në përgjigjen e saj AKSK njoftoi se “aktualisht nuk disponohen informacione zyrtare mbi identitetin e autorëve të këtij sulmi kibernetik”.
“Në kuadër të monitorimit të vazhdueshëm në platformat e inteligjencës kibernetike, nuk ka ende një atribuim zyrtar që lidhet me përfshirjen e ndonje shteti specifik, përfshi Serbinë.” – sqaroi AKSK për Faktoje.
Nisur nga ky informacion mund të dalim në përfundimin se pretendimi i ngritur nga mediat, të cilat njoftonin se sulmi kibernetik ndaj RTSH-së ishte kryer nga hackera serbë, është i paprovuar dhe keqinformues.
