Pretendimi: Task Forca Chemtrails e Trump ka arrestuar pilotin e parë që spërkaste qiellin me kimikate
Verdikti: E paprovuar
———————————————–
Pak ditë pasi pretendimi i rremë se “Task Forca Chemtrails” e krijuar nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka nisur të ndjekë penalisht krerët e ‘operacioneve të spërkatjes’ nisi të qarkullonte në rrjetet konspiracioniste, po pretendohet se kjo task forcë ka bërë arrestimin e parë të një piloti që spërkaste qiellin me kimikate.
Pretendimi është pjesë e teorisë konspirative të kemtrajleve (chemtrails). Kjo teori konspirative pretendon se qeveritë apo palë të tjera janë të angazhuar në një program sekret për të spërkatur kimikate toksike në atmosferë nëpërmjet avionëve në një mënyrë që formon vazhda në qiell, si ato që duken pas avionëve.
Duket se ky pretendim e ka zanafillën në një artikull të botuar më 23 prill në portalin amerikan The People’s Voice, i njohur më parë si News Punch.
Ky i fundit është etiketuar si një portal burim lajmesh të rreme. Sipas një raporti të vitit 2017 nga Buzzfeed, NewsPunch ishte burimi i dytë më i madh i lajmeve të rreme që ishin shpërndarë në Facebook atë vit.
Artikulli i The People’s Voice, si zakonisht, nuk ofron asnjë lloj prove për këtë pretendim të pazakontë.
Siç Faktoje ka shpjeguar dhe më parë, deri më tani nuk ka prova që mbështesin ekzistencën e ndonjë “Task Force Chemtrails” krijuar nga administrata e Trump. Nuk ka asnjë konfirmim zyrtar nga administrata Trump apo ndonjë media e besueshme që mbështet ekzistencën e një task force të tillë.
Ndryshe nga ç’pretendon artikulli, pa dhënë asnjë provë, nuk ka asnjë raportim se ndokush, aq më pak dy kontraktorë ushtarakë, janë arrestuar për spërkatje kimike në Florida.
Nëse dikush do të ishte arrestuar vërtet për spërkatjen e kimikateve toksike ose të rrezikshme, kjo do të ishte raportuar gjerësisht nga media me reputacion të besueshëm dhe do të kishte shkaktuar zemërim. Njerëzit që u prekën nga spërkatja do të ishin gjithashtu shumë të shqetësuar për rreziqet e mundshme shëndetësore dhe autoritetet shëndetësore të Florida do të kishin lëshuar këshilla se çfarë duhet të bënin njerëzit e ndikuar.
Asgjë nga këto nuk ka ndodhur.
Më 22 nëntor 2016, një sondazh i shkencëtarëve atmosferikë u botua nga Environmental Research Letters. 76 nga 77 (98.7%) e shkencëtarëve që morën pjesë në këtë studim thanë se nuk kishte prova të ekzistencës së një programi sekret të spërkatjes atmosferike në shkallë të gjerë dhe se të dhënat e cituara si prova mund të shpjegoheshin përmes faktorëve të tjerë.
Siç shpjegon skuadra kërkimore e fizikantit David Keith në Universitetin e Harvardit, nuk ka prova për ekzistencën e vazhdave kimike (chemtrails). Nëse do të ekzistonte vërtet një program qeveritar i kësaj shkalle, ai do të përfshinte një program po aq masiv për prodhimin, ngarkimin dhe shpërndarjen e materialeve. Mijëra ose edhe dhjetëra mijëra njerëz do duhej të punonin për këto programe. Kjo do të thotë se do të ishte tmerrësisht shumë e vështirë që kjo të mbetej sekrete për shumë gjatë, pasi do të mjaftonte vetëm një njeri i përfshirë në program të dilte hapur i pajisur me prova si fotografi, dokumente, apo pajisje fizike për ta dekonspiruar.
Këto prova ende nuk kanë dalë.
Në fjalët e skuadrës së Keith:
“Nëse beson në kemtrajle, pyete veten si mund të jesh kaq i sigurt që ka vërtet një konspiraci të madhe. Merr në konsideratë shpjegime alternative, të thjeshta. Ki parasysh që interneti është plot me njerëz që janë krejt të sigurt për gjëra që thjesht nuk janë të vërteta. Ki parasysh që edhe pse qeveritë mund të mbajnë sekrete që përfshijnë vetëm pak njerëz, ato nuk arrijnë të mbajnë sekret programe të mëdha. Rusët, për shembull, dinin detaje specifike mbi projektin e bombës atomike që përpara se të ndodhte testimi i parë i armëve bërthamore, dhe në atë rast njerëzit e përfshirë në atë projekt kishin motivin e qartë patriotik të mbanin sekretin.
Nëse mendon se vazhdat e kondensimit të avionëve “duken ndryshe” ose “po sillen çuditshëm” konsidero që vazhdat e zakonshme të kondensimit nganjëherë mbeten për një kohë të gjatë dhe mënyra se si duken mund të ndryshojë papritur përgjatë të njejtës rrugë sepse avionët fluturojnë përmes vendeve me temperatura dhe lagështi të ndryshme. […] Sigurisht që ka mundësi që diçka tjetër po ndodh, por për ta provuar duhet më shumë se thjesht fotografi të diçkaje që duket njësoj me vazhdat normale të kondesimit”.
Faktoje ka verifikuar edhe më parë pretendime lidhur me të ashtuquajturat kemtrajle.