Pretendimi: Konfirmohet lidhja mes autizmit dhe vaksinave anti-Covid

Verdikti: E pavërtetë

—————————–

Konspiracionistët anti-vaksinë po shpërndajnë lajmin se është konfirmuar një lidhje mes autizmit dhe vaksinës anti-Covid-19.

Megjithatë, ky pretendim, si zakonisht, nuk shoqërohet me ndonjë referencë apo studim, por vetëm në spekulime.

Nga ana tjetër, një sërë studimesh dëshmojnë se vaksinimi i fëmijëve nuk shkakton autizëm

Postimi i mësipërm përmend si shqetësim përfshirjen e mërkurit “të listuar si thimerosal” në përbërjen e vaksinave.

Thimerosal është përdorur për dekada në produkte biologjike si konservant, për të parandaluar kontaminimin e produkteve me mikroorganizma të dëmshme, që mund të ketë pasoja fatale.

Ndërkaq, mërkuri (Hg) është një element i cili mund të gjendet në formën e tij të pastër, quajtur mërkur elemental, ose i lidhur me molekula të tjera. 

Një formë e mërkurit, e quajtur metilmërkuri sepse atomi i mërkurit është lidhur me një grup metilik që përbëhet nga një atom karboni dhe tre atome hidrogjeni. Metilmërkuri është shumë helmues. Ekspozimi ndaj sasive të metilmërkurit që e tejkalojnë nivelin e sigurisë përpara lindjes rrit rrezikun e paaftësive të rënda neurologjike.

Në 1956, banorët e qytetit Minamata në Japoni u ekspozuan ndaj niveleve toksike të metilmërkurit. Hetimet zbuluan se një fabrikë vendase kishte hedhur mërkur në gjirin e Minamata. Pas gëlltitjes nga organizmat e gjallë, mërkuri ishte shndërruar në metilmërkur dhe, përmes zinxhirit ushqimor, ishte mbledhur tek peshqit me të cilët ushqehej popullsia vendase. Tek njerëzit e helmuar nga metilmërkuri u shfaqën një numër çrregullimesh neurologjike si shqetësime shqisore, probleme me ekuilibrin dhe lëvizshmëri të kufizuar, ndër të tjera.

Megjithatë, thimerosal nuk përmban metilmërkur, por një tjetër formë mërkuri të quajtur etilmërkur, ku atomi i mërkurit është i lidhur me një grup etilik i përbërë nga dy atome karboni dhe 5 atome hidrogjeni. Ndryshe nga metilmërkuri, etilmërkuri nxirret shpejt nga trupi, nuk grumbullohet në organizëm dhe ka shumë më pak gjasa të shkaktojë probleme shëndetësore.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSh), nuk ka prova se sasia e thimerosal që përdoret në vaksina kërcënon shëndetin.

Më tej, një numër studimesh shkencore kanë treguar se ekspozimi ndaj thimerosalit nuk ka lidhje me autizmin. 

Një nga këto studime mati përhapjen e autizmit tek fëmijët kanadezë lindur mes 1987 dhe 1998. Në këtë periudhë, prania e thimerosalit në vaksinat e fëmijëve erdhi duke u ulur deri sa u eleminua krejt në vitin 1996. Nëse thimerosali do të ishte faktor rreziku për autizmin, pritej të shihej një rënie në rastet e autizmit me rënien e ekspozimit ndaj thimerosalit. Megjithatë, kjo nuk ndodhi. Përhapja e autizmit, në fakt, ishte më e ulët kur ekspozimi ndaj thimerosalit ishte më i lartë. 

Studime të tjera që kanë krahasuar rrezikun e autizmit tek fëmijët e ekspozuar ndaj thimerosalit dhe tek ata të paekspozuar kanë konfirmuar se kjo përbërje nuk shkakton autizmin apo çrregullime të tjera zhvillimore neurologjike.