“…. Europa ka filluar një luftë, e cila do të bëhet çdo ditë më e pamëshirshme, që të kujton atë shprehjen peshku i madh do hajë të voglin me çdo çmim dhe robi do jetë ujk për robin, shtetet do jenë ujq për shtetet, sepse demografia e Europës është në kushtet që po i afrohet një tragjedie të kontinentit. – Edi Rama, Parlament, 25 Maj 2023
Me këto fjalë kryeministri Edi Rama iu drejtua qytetarëve nga foltorja, në mbrojtje të qeverisë së tij, të vënë përballë faktit të largimit të qytetarëve nga vendi.
Kjo nuk është hera e parë që kryeministri Rama i thërret luftës, për të justifikuar pasoja jo të këndshme që kanë ardhur, sipas tij, për shkak të tërmetit në 2019-n, covid-it në 2020-n, luftës në Ukrainë në 2021-shin dhe tashmë mesa duket edhe kësaj që Rama e quan “luftë të Europës”.
Rënia eksponenciale e lindjeve në vendet më të zhvilluara të Europës ka ardhur sot në pikën ku po reflektohet në tregun e punës dhe ku vendet më të zhvilluara janë në situatën që ose duhet të rrëmbejnë nga të katër anët ku të munden krah pune për të kompensuar boshllëkun ose duhet të pranojnë perëndimin e suksesit dhe fillimin e falimentimit të tyre. Që nga Gjermania, lokomotiva e Europës dhe superfuqia e kontinentit e cila deri në vitin 2030 ka nevojë për 7 milionë puntorë jashtë sistemit të demografisë gjermane. Dhe kur them punëtorë, në të gjitha punët jo vetëm në një lloj pune.– vijoi kryeministri Rama.
Reflektime statistikore
Në fakt, lidhja shkak pasojë që bën kryeministri Rama mes rënies së lindshmërisë dhe mungesave në tregun e punës nuk përputhet me shifrat e EUROSTAT-it. Sipas të dhënave statistikore të Europës, lindshmëria në Europë ka rënë, por jo ajo në Gjermani, e cila në vitin 2021 ka shënuar rritje vjetore më të lartë se rënia vjetore e të njëjtit vit në të gjithë Bashkimin Europian.
Njëkohësisht, numri i popullsisë në Europë ka ardhur duke u rritur në 10 vitet e fundit. Sipas INSTAT, në vitin 2021, Bashkimi Europian ka rreth 5 milionë njerëz më shumë sesa në vitin 2013. Edhe Gjermania ka shënuar rritje, me 2.5 milionë njerëz më shumë prej vitit 2013 deri në vitin 2021. Ndryshe shfaqet Shqipëria, e cila ka sot rreth 83 mijë qytetarë më pak se në vitin 2013. (Kodi i kërkimit në EUROSTAT: DEMO_GIND)
Në raportin demografik të Bashkimit Europian për vitin 2022, matet ndikimi i ndryshimeve të popullsisë mbi tregun e punës. Sipas këtij raporti “Përbërja demografike e tregut të punës në BE nuk ka ndryshuar rrënjësisht në vitet e fundit. Megjithatë, popullsia e BE-së në moshë pune po zvogëlohet. Gjatë dekadës së fundit, popullsia e BE-së në moshë pune ra nga 269 milionë në 2012 në 264 milionë në 2021.”
Ndryshe pasqyrohet situata në Shqipëri, ku sipas të dhënave të INSTAT, popullsia në moshë pune në raport me popullësinë, ka mbetur thuajse e pandryshuar në 10 vitet e fundit me diferencë prej 1.3 pikë përqindje nga viti 2013 deri në 2023.
Sa i përket numrit të atyre që emigrojnë, në vitin 2023 INSTAT llogariti mbi 46 mijë persona që janë larguar nga Shqipëria (11% më shumë se viti i kaluar) dhe rreth 14 mijë që janë kthyer (52% më shumë se viti i kaluar).
Ligji i punësimit në Gjermani
Krahasimin me Gjermaninë kryeministri nuk e ndali me kaq. Madje, për të ilustruar “luftën” e Europës për të përthithur punësim, kryeministri njoftoi kalimin e një ligji të ri atje.
“Ligji që ka kaluar Gjermania para pak javësh duhet të ngulet në kokën e të gjithëve atyre që merren me politikbërje në Shqipëri. Është një ligj që hap dyert e Gjermanisë për krah pune nën 35 vjeç, të pakualifikuar. Kurrë më parë një shtet nuk ka bërë një ligj për punonjës të pakualifikuar.” – tha Edi Rama, në Parlament më 25 Maj. Nisur nga kjo deklaratë, Faktoje iu drejtua qeverisë Gjermane për të mësuar më shumë mbi këtë nisme ligjore. Përmes një kërkese për informacion kërkuam të njihemi me paketën ligjore të cilës i referohet kryeministri, asaj që synon të tërheqë punonjës të pakualifikuar nën 35 vjeç.
Ligji, ende i pamiratuar në Gjermani
Në përgjigjen e marrë nga zyra e shtypit për Ministrinë Federale të Punës dhe Çështjeve Sociale në Gjermani, u informuam se ligji për të cilin bëhet fjalë, është ende në fazë propozimi dhe nuk është miratuar ende.
Zëdhënësi i Ministrisë Federale të Punës dhe Çështjeve Sociale saktësoi për Faktojen:
“Kini parasysh se projektpropozimi nuk është votuar ende në Parlament dhe për këtë arsye mund të ndryshojë në disa detaje.”
Përgjigjja ka ardhur në 25 maj, të njëjtën ditë që kryeministri Rama njoftoi “ligjin që kishte kaluar para pak javësh në Gjermani”.
Punëtorë të pakualifikuar nën 35 vjeç?
Informacioni që qeveria Gjermane dha për ligjin e ri për migrimin në Gjermani, është i publikuar në faqen zyrtare të Bundestagut dhe quhet “Imigrimi i punëtorëve të kualifikuar në Gjermani | Ligji i ri 2023”.
Sipas këtij informacioni, në vitin 2023 do të jetë edhe më e thjeshtë për punëtorët e kualifikuar të shkojnë në Gjermani. “Në fund të nëntorit 2022, Qeveria Federale vendosi për pikat kyçe për rregulloren e re, e cila do të zgjasë Aktin e Emigracionit të Punëtorëve të Kualifikuar që ka qenë në fuqi që nga marsi 2020.” – shkruhet në artikull.
“Në garën për talent dhe duar ndihmëse, ne po ofrojmë mënyra të reja dhe mbi të gjitha më të lehta për të punuar në Gjermani”. – citohet të ketë thënë ministri gjerman i punës, Hubertus Heil.
Tri shtylla kryesore parashikohet të ketë imigrimi për punë në draft-ligjin e ri në Gjermani.
- Shtyllat e fuqisë punëtore të kualifikuar mbetet elementi qendror i imigrimit për Qeverinë Federale. Shtylla e parë do të vazhdojë të jetë Karta Blu e BE-së për specialistët akademikë. Megjithatë, pragjet ekzistuese të pagave do të ulen. Për më tepër, rregulloret e reja do t’i bëjnë më tërheqëse studimet ose trajnimet për punë në Gjermani.
- Shtylla e dytë është ajo e eksperiencës. Kjo shtyllë gjithashtu do t’u mundësojë punëtorëve të kualifikuar të emigrojnë, edhe nëse aftësia e tyre profesionale nuk është njohur zyrtarisht paraprakisht. Parakushtet përfshijnë një kontratë pune dhe të paktën dy vjet përvojë profesionale.
- Shtylla tjetër e mundshme u drejtohet njerëzve që nuk kanë ende një kontratë pune në Gjermani. Thelbi është të ofrohet një kartë e re mundësish. Me ndihmën e një sistemi pikësh, duhet të përcaktohet potenciali në bazë të kritereve të ndryshme. Do të merren parasysh, ndër kualifikimet e tjera, aftësitë gjuhësore dhe përvoja profesionale.
Për të kuptuar çfarë konsiderohet një punëtor i kualifikuar apo i aftë i referohemi Aktit të Emigracionit të Punëtorëve të Kualifikuar, pjesë e të cilit do të jetë edhe ligji i ri i propozuar.
Sipas këtij përkufizimi, punonjës i aftë apo i kualifikuar “nuk janë vetëm të diplomuar me diploma universitare që njihen në Gjermani, por edhe punëtorë me kualifikime profesionale të njohura në Gjermani”.
Nisur nga këto të dhëna është e pamundur të kuptosh se cilës pjesë të ligjit i referohej kryeministri Rama, kur njoftoi se Gjermania po kërkon punonjës të pakualifikuar nën 35 vjeç.
Nevoja për punonjës të pakualifikuar, jo për herë të parë
Duke kërkuar në rrjet për këto specifika, rezulton se Bashkimi Europian ka një udhërrefyes për “hapjen e dyerve të Europës për punonjës të pakualifikuar apo me kualifikim të ulët”. Ky udhërrëfyes daton në 15 Dhjetor 2010 dhe kishte për qëllim krijimin e një inventari të procedurave të pranimit dhe qëndrimit për punëtorët e vendeve të treta të pakualifikuara dhe me kualifikim të ulët që hyjnë në tregun e punës së 27 vendeve anëtarë të BE-së.
Bazuar në konkluzionet e këtij udhëzuesi, prej vitit 2010 shumë vende të Bashkimit Europian kanë nevojë për forcë pune të pakualifikuar apo me kualifikim të ulët.
“Në disa vende anëtare të BE-së, si Belgjika, Danimarka, Gjermania dhe Holanda, ende ekzistojnë ndalesa për rekrutimin e shtetasve të vendeve të treta. Kjo shpesh ndodh për shkak të faktit se shtetasit e disa vendeve anëtare të BE-së, të cilët favorizohen përpara shtetasve të vendeve të treta në tregjet e punës së vendeve të tjera anëtare të BE-së, janë të disponueshëm për punë me kualifikim të ulët dhe të pakualifikuar.” – thuhet në raport. Në anën tjetër, “shtetet jugore, duke përfshirë Greqinë, Italinë, Portugalinë dhe Spanjën, e pranojnë nevojën për punonjës të pakualifikuar të vendeve të treta. Megjithatë, për shkak të shkallës së lartë të papunësisë në mesin e popullatës vendase si rezultat i krizës ekonomike globale, punësimi i punonjësve të vendeve të treta në këto vende është ulur në mënyrë drastike ose është vënë në pritje” thuhet në raport.
Pse i bie Rama këmbanave të luftës?
Për të kuptuar arsyen përse kryeministri Rama zgjedh krahasimin e problemit të migracionit dhe krahut të punës si “luftë që po kthen në ujqër të gjithë Europën” Faktoje u këshillua me Neritan Sejaminin, ekspert i politikave publike dhe njohës shumë i mirë i politikbërjes.
“Kjo deklaratë e Ramës është për konsum të brendshëm dhe në një farë mënyre audienca kryesore është audienca e brendshme. Nga njëra anë, ai do të krijojë idenë që problemet e migrimit të shqiptarëve janë probleme jo tipike shqiptare, por probleme të një rendi më të gjerë europian apo global, ku vendet perëndimore, në mungesë të fuqisë së kualifikuar punëtore, për shkak të dinamikave të tyre të brendshme, janë duke krijuar kushte shumë të mira për të marrë punëtorë të kualifikuar, sidomos profesionistë të kualifikuar, nga vende të tjera.Kjo lloj tërheqje, sipas tij, është aq e madhe sa nuk mund të fajësosh Shqipërinë që mjekët, infermierët dhe inxhinierët po largohen. Nga ana tjetër do të justifikojë ardhjen e punëtorëve të paklualifikuar në Shqipëri të cilët ngjallin një farë pakënaqësie në vend pasi në opinionin publik së pari është problemi i pranimit të kulturave të tjera dhe nga na tjetër është problemi që mendohet se ata do i zënë punën shqiptarëve dhe se kështu po përzemë shqiptarët dhe po i zëvendësojmë më të huaj.
Duke e vendosur Shqipërinë thjesht në kuadrin e këtij problemi botëror ku vendet perëndimore po marrin punëtorë nga vende të tjera, do të justifikojë ardhjen e fuqisë punëtore, në këtë rast të pakualifikuar, kryesisht nga vendet e Azisë Juglindore si Bangladeshi, India, Pakistani etj.
Ajo që kryeministri nuk thotë është se Shqipërisë po i largohet fuqia e kualifikuar dhe po zëvendësohet me fuqi të pakualifikuar, që është tregues që ekonomia shqiptare nuk është e zhvilluar pasi ka nevojë për krah të pakualifikuar pune dhe nuk afron kushte të favorshme për të mbajtur krahun e kualifikuar të punës.” – Neritan Sejamini për Faktoje.
Nisur nga këto të dhëna dhe informacione, mund të thuhet se deklarata e kryeministrit Rama është e pavërtetë.