Pretendimi: Elon Musk u zotua publikisht se do të mbulojë të gjitha shpenzimet e jetesës dhe edukimit për fëmijët e Charlie Kirk.
Vlerësimi: E pavërtetë
Jona Cenameri
Vrasja e Charlie Kirk, një nga udhëheqësit e rinj të konservatorizmit amerikan, i njohur dhe si themeluesi i organizatës Turning Point USA vijon të jetë lajm kryesor në mediat botërore. Një prej lajmeve që ka ngjallur interes dhe komente të shumta është ai për zotimin e manjatit të teknologjisë Elon Musk për të mbuluar të gjithë shpenzimet financiare për fëmijët e Kirk. Ky postim shoqërohet gjithashtu me disa fotografi funerali ku shihej Elon Musk pranë arkivolit të Charlie Kirk dhe me fëmijët e tij të vegjël që qajnë.

Verifikimi tregon se ky pretendim është i rremë, i nxitur nga faqe online që synojnë mbledhjen e klikimeve. Zanafilla e lajmit rezulton të jetë në një faqe Facebook-u e quajtur “60 Second News”, me vendndodhje në Vietnam, e cila shpërndan përmbajtje të gjeneruar me inteligjencë artificiale.
Pas lajmit për plagosjen gjatë një mitingu në Utah në 10 shtator dhe më pas vdekjen e tij, Elon Musk reagoi disa herë në X (ish-Twitter). Të gjitha mesazhet e tij lidhen me gjendjen shëndetësore të Kirk përpara se ai të ndërronte jetë, si dhe më pas me thirrje për të mbështetur organizatën që ai themeloi, Turning Point USA. Në një nga postimet e tij më 14 shtator, Musk shkroi: “Mbështesni Turning Point për Charlie, për arsyen, për të ardhmen e qytetërimit”. Në asnjë prej këtyre reagimeve nuk përmendet ndonjë mbulim financiar për familjen e Kirk, fëmijët apo shpenzimet e tyre.
Kolegët e verifikimit të fakteve të LeadStories kanë analizuar gjithashtu fotot e funeralit që shoqërojnë postimin. Verifikimi i imazhit të përdorur në postim përmes programit AI or Not tregoi se fotografia rezulton “likely AI-generated” (me shumë gjasë e gjeneruar nga inteligjenca artificiale). Kjo e përforcon faktin se nuk kemi të bëjmë me pamje reale nga një ceremoni mortore, por me përmbajtje të sajuar për të mashtruar publikun.

Asnjë media serioze si BBC, CNN apo CBS, të cilat kanë mbuluar ngjarjen e vrasjes së Kirk dhe arrestimin e autorit, nuk raportoi për një premtim të tillë nga Musk. Në të vërtetë, Musk ka shprehur mbështetje ideologjike dhe politike për kauzën e Kirk dhe për organizatën e tij TPUSA, por nuk ka ndërmarrë publikisht një angazhim financiar personal ndaj familjes së tij.