Pretendimi: Kjo video që tregon supermarketet plot në Gaza provon se nuk ka uri apo zi buke në Gaza
Verdikti: Mungon konteksti
——————————————-
Një video që po qarkullon së fundmi në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, duket se tregon ushqim të bollshëm në një supermarket dhe shoqërohet me përshkrimin ironik: “Nuk ka ushqim në Gaza? A jemi të sigurt?”

Megjithatë, me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme nuk tregon gjendjen e tetorit 2025 në Gaza.
Video origjinale është postuar në Instagram më 21 shkurt 2025, nga amerzenaty, djali në video, një fotograf palestinez që ndodhet në Gaza.

Ajo mban përshkrimin: “Më në fund, një qendër tregtare në Gaza! Pas më shumë se një viti e gjysmë përpjekjesh dhe vështirësish, më në fund ia dalim të shohim jetën normale që na është privuar. Pavarësisht gjithçkaje, Gaza mbetet e fortë dhe gjen gëzim edhe në mes të dhimbjes. ❤️✨”
Kujtojmë se nga 19 janari deri në 18 mars 2025, në Gaza pati një armëpushim mes Izraelit dhe Hamas. Pas nënshkrimit të marrëveshjes më 17 janar 2025, qindra kamionë me ndihma që transportonin ushqime dhe karburant u lejuan të hyjnë në Rripin e Gazës përmes Izraelit dhe Egjiptit.
Gjatë armëpushimit, Izraeli lejoi një maksimum prej 600 kamionësh ndihmash të hynin çdo ditë. Dërgesat nuk patën ndonjë ndërprerje të konsiderueshme dhe çmimet e ushqimit ishin më të ulëta. Më 5 shkurt, OKB raportoi se mbi një milion njerëz kishin marrë ndihmë ushqimore që nga fillimi i armëpushimit.
Më 2 mars 2025, Izraeli ndërpreu të gjithë ndihmën për Rripin e Gazës. Bllokada shkaktoi rritjen e çmimeve të ushqimeve deri në 1,400%.
Në shtator 2025, sipas Ahmad Abushawish, një gazetar i bazuar në Gaza, “ushqimi është i disponueshëm në vende të caktuara, por është i paarritshëm.”
“Është e vërtetë,” shkruan ai, “që sot mund të shihni tregje dhe dyqane me rafte plot në Gazën jugore. Mund të shihni arka me kastraveca dhe domate, thasë mielli, kuti me vezë dhe shishe vaji. Madje ka kafene dhe restorante që shërbejnë pica, pije dhe ëmbëlsira të improvizuara të bëra nga çdo gjë që ofron tregu. Nga larg, këto vende duken pothuajse të zakonshme, si një përpjekje për të ruajtur fragmente të jetës normale. Por në realitet, këto janë vende shumë larg mundësive. Çmimet e tyre janë astronomike, dhe madje edhe ata që mund t’i përballojnë ato përballen me një pengesë tjetër: krizën e cash.”
Ai shpjegon se “pak njerëz që kanë ende para në llogaritë bankare duhet të paguajnë një komision prej 50% për të tërhequr cash,” dhe të paguajnë çmime si 9 dollarë për një kafe, 18 dollar për një picë të vogël, apo 70 dollarë për një kile sheqer.