Pretendimi: Kjo video tregon se NASA ka inskenuar udhëtimet hapësinore
Verdikti: Mungon konteksti
————————————————————————–
Një video që duket se tregon një intervistë në një model anijeje kozmike, po përdoret në rrjet si dëshmi se qendra amerikane hapësinore NASA ka inskenuar fluturimet hapësinore.
Megjithatë, video e mësipërme nuk tregon ndonjë set xhirimesh për inskenimin e udhëtimeve hapësinore, por një ekspozitë interaktive mbi udhëtimin hapësinor.
Këtë na e tregon mbishkrimi i videos, i cili përkthehet nga hungarishtja në “Dávid jep një intervistë në Huniverzum.”
Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti videon origjinale, të postuar në Youtube një muaj më parë nga kanali @spacejunkieH, i cili vetë-përshkruhet si “kanali më i mirë i udhëtimit hapësinor në Hungari.”
“Huniverzum – Hungarezët në Hapësirë” është një ekspozitë interaktive hapësinore në Millenáris, Budapest, Hungari.
E hapur nga 13 maji deri më 31 tetor 2025, ekspozita shfaq të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e Hungarisë në eksplorimin e hapësirës.
Pikat kryesore përfshijnë simulatorët hapësinorë, shfaqjet planetare 360°, pajisjet origjinale të astronautëve dhe një zhytje të thellë në misionin e ardhshëm të astronautit Tibor Kapu.
Foto nga ekspozita korrespondojnë me pamjet që shfaqen në video.