Ekspozita e ikonografisë satanike në parlamentin e Iowa nuk është vendosur dhe nuk shpreh qëndrimin zyrtar të administratës shtetërore. Verifikimi i Faktoje zbuloi se ekspozita është ngritur brenda godinës së parlamentit nga një grup i quajtur Tempulli Satanik i Iowa, si ushtrim i lirisë së tyre të besimit.
—————————————————
Me afrimin e festave, në rrjetet konspiracioniste është ndezur alarmi i luftës. Arsyeja duket se është një ekspozitë me simbole sataniste e vendosur në godinën e parlamentit të shtetit amerikan Iowa.
“Këta të parlamentit të shtetit Iowa në Shba, të paktën nuk e fshehin më si të tjerët që Santa është Satan dhe kanë vendosur që ta ekspozojnë djallin brenda godinës së parlamentit,” pretendon një përdorues që ka shpërndarë një kronikë mbi ekzpozitën.

Duke parë videon, megjithatë, vëmë re një tabelë të vendosur pranë ekspozitës (min 0:58) në të cilën shkruhet: “Kjo ekspozitë nuk zotërohet, mbahet, promovohet, mbështetet apo ka lidhje me Shtetin e Iowa.”

Tabela e mësipërme e bën të qartë se ekspozita nuk ka të bëjë me administratën shtetërore të shtetit të Iowa.
Megjithatë, Faktoje u thellua më tej për të kuptuar plotësisht situatën.
Duket se altari satanik u vendos në godinën e parlamentit të Iowa në 9 dhjetor nga një grup i quajtur Tempulli Satanik i Iowa. Ai përbëhet nga një manekin që i përngjan figurës pagane Baphomet, qirinj elektrikë, dhe ato që grupi i quan “shtatë parimet thelbësore”.

Kjo ekspozitë është një prej disa ekspozitave festive të vendosura në godinën e parlamentit, krahas ekspozite nga një grup i krishterë dhe një tjetre nga një grup ateist.

Ekspozita festive e krishterë

Ekspozita festive e ngritur nga grupi ateist Freedom from Religion Foundation
Sipas pjesëtarit republikan të parlamentit të Iowa, pastor Jon Dunwell, godina e parlamentit është e hapur për ekspozita nga kushdo. Megjithëse ka disa rregulla, tha ai, këto nuk diskriminojnë në bazë të fesë apo ideologjisë. “Parimi i tanishëm operacional ka qenë ose të lejohen gjithë ekspozitat ose asnjëra,” tha ai.
Dunwell tha se Tempulli Satanik kishte kërkuar leje për të ngritur ekspozitën e tyre që në Gusht, dhe e kishte marrë. Një zëdhënës nga Departamenti i Shërbimeve Administrative të Iowa tha për median vendase WHO13 se grupi i kishte përmbushur të gjitha kriteret
Ekspozita e Tempullit Satanik ngjalli goxha pakënaqësi brenda parlamentit. Pjesëtari i parlamentit Brad Sherman i bëri thirrje guvernatores republikane së Iowa, Kim Reynolds, për ta hequr ekspozitën nga godina.
Në një deklaratë për shtyp, guvernatorja Reynolds e quajti ekspozitën “të dënueshme” por shtoi se “në një shoqëri të lirë, përgjigjja më e mirë ndaj shprehjeve të dënueshme është më shumë shprehje.” Ajo i ftoi besimtarët t’i bashkoheshin në lutje në godinën e parlamentit.
Në një deklaratë, Tempulli Satanik i Iowa shkroi se ishin “krenarë” të merrnin pjesë në atmosferën festive në godinën e parlamentit dhe falenderoi zyrtarët shtetërorë “që e mbajtën fort parimin e lirisë së fesë dhe u siguruan që të gjithë besimet kanë mundësi të barabartë për të festuar së bashku në godinën tonë të bukur parlamentare.”