Në 2030 Shqipëria jo vetëm do të prodhojë armë dhe mjetë ushtarake por edhe do të eksportojë. Kjo deklaratë e kreut të qëverisë Rama erdhi pak kohë pas samitit të Vendeve të Ballkanit Perëndimor me Ukrainën të zhvilluar në Tiranë dhe zotimit për të ndihmuar Kievin, në luftën ndaj agresionit Rus. Kreu i qeverisë synon të rivitalizojë industrinë ushtarake por edhe të ndihmojë Ukrainën. Ekspertët besojnë se kjo është një iniciativë e duhur në një kohë që Serbia dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor kanë kohë që prodhojnë dhe eksportojnë.
Eno Luarasi
“Ambicia jonë është që brenda vitit 2030 ne të kemi edhe eksporte ushtarake të markës “Made in Albania” dhe nga ana tjetër sigurisht që ushtria jonë të fillojë të pajiset edhe me mjete ushtarake të markës “Made in Albania’’. – EDI RAMA KRYEMINISTËR I SHQIPËRISË, 03.04.2024
Menjëherë pas kësaj deklarate të Kryeminsitrit Rama të bërë në prezantimin e Qendrës së Inovacionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes, ministria e linjës hodhi për konsultim publik projektligjin “Për krijimin e Shoqërisë Shtetërore për Prodhimin dhe Tregtimin e Armëve, Municioneve, Pajisjeve dhe Teknologjive Ushtarake”. Projektligj ka si qëllim të shërbejë si akt themelimi për shoqërinë KAYO sh.a.
ÇFARË SYNON PROJEKTLIGJI
Për Faktoje.al Ministria e Mbrojtjes thotë se ndryshimi i situatës së sigurisë globale, rritja e nevojave për furnizime me municione dhe armatime kanë bërë që krerët e shteteve të NATO-s gjatë samitit të Vilniusit 2023, të mbështesin Planin e Veprimit për Prodhimet e Mbrojtjes (Defense Production Action Plan).
MINISTRIA E MBROJTJES
“Shqipëria, ashtu edhe si të gjitha vendet e tjera aleate, ka si detyrim të rrisë kapacitetet operacionale dhe nivelin e rezervës në municione dhe armatime, për t’iu përgjigjur ndryshimit të vazhdueshëm të situatës së sigurisë dhe mbështetur ekzekutimin e “familjes së planeve” të shkurajimit dhe mbrojtjes në zonën euro- atlantike. Për këtë qëllim, për të adresuar kërcënimet reale shtrohet si domosdoshmëri, zhvillimi i një procesi të plotë vlerësimi mbi mundësinë e ri-jetësimit të industrisë ushtarake në funksion të rritjes së aftësive mbrojtëse dhe zhvillimit ekonomik kombëtar, por edhe si një instrument për të vijuar fuqizimin e imazhit dhe rolit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare”. – Redion Qirjazi, Ekspert për Çështjet e Sigurisë
Për ekspertin e sigurisë Redion Qirjazi i cili ka shërbyer për shumë vjet edhe në Forcat e Armatosurata të Repubikës së Shqipërisë, riaktivizimi i industrisë është i mundur dhe duhet të ketë një bazë të shëndetshme ligjore.
Ky është një projekt i vonuar për Shqipërinë. Projektligji i ofruar, duket si një draft që ka akoma nevojë për përmirësime të mëtejshme pasi aktualisht nuk ofron qartësi dhe mendoj se ka shumë elemente që i mungojnë, në veçanti proceset që kanë të bëjnë me detyrimet e kompanisë ndaj shtetit dhe bashkërendimi me institucione të tjera. – shpjegon ai.
Deputeti i Partisë Socialiste Denis Deliu, anëtar i Komisionit të Sigurisë dhe ish-efektiv i Forcave Speciale, e shikon jo vetem një mundësi reale por edhe të vonuar rivitalizimin e industrisë ushtarake. Deliu thekson se Shqipëria ka përvojë dhe traditë në prodhimin e armëve
dhe municioneve.
“Jemi të vonuar por më mirë vonë se kurrë. Vullneti politik por dhe kërkesa në rritje për armatim dhe municion sollën nevojën për ta riaktivizuar këtë industri e cila mund të jetë e duhur për përballimin e nevojave tona me armatim e muncion por dhe një eksportuese me kosto të ulët. Duhet një investim i zgjuar në pajisje dhe marketing afatgjatë dhe përgatitjen e njohjen e një patente shqiptare. Kjo do sillte sukses ne tregun ndërkombetar”.
Ish-Sekretari I Përgjitshëm i Ministrisë së Mbrojtjes Edvin Kulluri thotë se çdo rritje kapaciteti ushtarak ështe diçka e mirë, por do të jetë shumë e vështirë.
“Industria e armatimit rrit kapacitetet luftarake dhe pavarësinë e pajisjes së Forcave të Armatosura. Eksporti do ishte nëe lajm akoma më i mirë. Natyrisht që në aspektin e deterrences ( përmbajtjes) ndaj vendeve me ambicie jo miqësore në rajon kjo do ishte një faktor që rrit fuqinë e FA të Shqipërisë. Por mos harrojme qe ne kemi nevoja të mëdha në sisteme të ndryshme ç’ka kërkojnë kohë të shpejtë dhe investime të mëdha. Ndaj mos presim ndonjë hata nga rigjallërimi i industrisë ushtarake. Është gjë e mirë por jo një lajm aq i madh sa mendojnë disa njerëz”.
Sipas projektligjit me krijimin e një strukture të tillë siç është KAYO në formën e një shoqërie tregtare me të gjitha kapacitetet e nevojshme, do të mund të aktivizohen dhe funksionojnë mekanizmat e nevojshëm për rivitalizimin e kapaciteteve të trashëguara të industrisë ushtarake.
Serbia është pa asnjë dyshim industria më e madhe e armatimit në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe në krahasim me të , Shqipëria është shumë prapa. Industria serbe arrinë të prodhojë deri te tanket apo dronët. Për eksportin e armëve dhe ekuipazheve të tjera ushtarake në vitin 2021, në Serbi ishin të licencuara rreth 371 kompani me një vlerë totale prej 1.23 miliardë dollarë. Në krahasim me vitin 2020, numri i lejeve të lëshuara u rrit me 20%. Destinacionet kryesore të eksporteve të industrisë serbe ishin Shtetet e Bashkuara, Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Republika Çeke, Izraeli, Qipro, Maqedonia e Veriut, Turqia, Polonia, Mali Zi, dhe Rumania. Nëse shikojmë në vlerë monetare, destinacioni kryesor i eksporteve ka qenë SHBA-ja me 634.19 MLN Dollarë, ose 52% e këtyre eksporteve.
Redaktoi: Viola Keta & Aimona Vogli