Etika në media dhe verifikimi i lajmeve të rreme ishin në fokus të trajnimeve që Faktoje, në bashkëpunim me ekspertët holandezë të medias Z. Fritz Van Exter dhe Z. Alexander Pleijter zhvilluan me studentët e gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Ekspertët theksuan fort rëndësinë që ka etika në gazetari dhe përcjellja e informacionit në mënryë të saktë dhe të pavarur.
——————————————————————————————-
Studentë të gazetarisë në Universitetin e Tiranës u bënë pjesë e trajnimeve të zhvilluara nga Faktoje në bashkëpunim me ekspertët holandezë të medias Z. Fritz van Exter dhe Z. Alexander Pleijter. Të ndarë në dy grupe, të rinjtë mësuan mbi etikën në media dhe hapat si të bëjnë fact-checking.
Eksperti i medias, gazetari holandez z. Fritz Van Exter theksoi pse ka rëndësi etika në gazetari, duke dhënë raste konkrete në lidhje me këtë çështje. Gjithashtu, eksperti ilustroi rëndësinë që ka gazetaria në shërbim të interesit publik, në mënyrë që të informojë në mënyrë të saktë dhe korrekte audiencën.
Në lidhje me këtë çështje, studentët shprehën shqetësimin se në fakultet mësojnë mbi mënyrën etike të të bërit gazetari, por sipas tyre kjo është e vështirë të zbatohet në praktikë.
“Në Shqipëri media ndikohet fort nga politika dhe interesa të tjera, të cilat pengojnë gazetarët që të ushtrojnë profesionin në mënyrë të lirë dhe të pavarur. Kjo është një çështje delikate, pasi në shumë raste gazetarët nuk arrijnë dot të raportojnë të vërtetën”, thanë studentët e Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit.
Pandemia e Covid-19 apo edhe lufta në Ukrainë treguan sa i rëndësishëm është ‘fact-checking’ në ditët e sotme. Eksperti Z.Alexander Pleijter u shpjegoi studentëve të gazetarisë hapat si të bëjnë ‘fact-checking’ dhe mjetet që na duhen për të bërë verifikimin e fakteve, në mënyrë që të mos biem pre e dizinformimit.
Këto njohuri të marra, studentët i zbatuan në praktikë, ku nëpërmjet mjeteve të ndryshme verifikuan si të dallojnë një foto apo informacione të rreme, të cilat qarkullojnë rëndom sidomos në rrjetet sociale. Ekspertiza e Pleijter dhe Exter pati rëndësi të veçantë për studentët, pasi ata u njohën me modelin e konsoliduar të gazetarisë fact checking në Holandë.
Z.Frits van Exter është gazetar, por edhe kryetar i Këshillit Holandez për Gazetarët, organi vetërregullues për ankesat kundër mediave. Ai është një prej njohësve më të mirë të çështjeve të etikës në media.
Z.Alexander Pleijter është ekspert në gazetarinë online dhe koordinator i Niewscheckers, projekti holandez i verifikimit të fakteve të Universitetit Leiden.
Trajnimi me ekspertët holandezë të medias u zhvillua në kuadër të projektit “Forcimi i gazetarisë Fact-Checking në Shqipëri”, i nisur në gusht 2021 dhe që mbështetet nga programi MATRA i Ministrise së Jashtme të Mbretërisë së Vendeve të Ulta.
Përmes këtij projekti synohet rritja e bashkëpunimit, por edhe rritja e kapaciteve të gazetarëve si dhe e institucioneve përgjegjëse, mbi zbatimin e ligjit për të Drejtën e Informimit. Ky projekt synon të rrisë transparencën dhe përgjegjshmërinë e funksionarëve publikë, si dhe të fuqizojë qytetarët dhe të nxisë debatin publik.