Pretendimi: Edward Snowden ka zbuluar objektet dhe bazat ushtarake të HAARP-së tepër sekrete në mbarë globin
Verdikti: E pavërtetë
—————————————————————
Në rrjetet konspiracioniste po qarkullon pretendimi se informatori amerikan Edward Snowden ka ekspozuar “bazat ushtarake top-sekret, axhendën e errët globale të HAARP-it për kontrollin e mendjes, vrasjet dhe operacionet e fshehta.”
Si burim për këtë pretendim, postimi i mësipërm citon “reporterët e Internet Chronicle.”
Në të vërtetë, një artikull i botuar më 10 korrik 2013 në faqen Internet Chronicle, që i atribuohet autorit Oliver Wilis, thotë, mes pretendimeve të tjera, se Snowden ka ofruar dokumente që vërtetojnë se HAARP është “i angazhuar në një program të vrasjeve dhe kontrollit të mendjes”, megjithëse nuk ofron asnjë provë për dokumente të tilla.
Faqja e Internet Chronicle nuk e quan shprehimisht përmbajtjen e faqes satirë, por përshkrimi i botimit dhe redaktorëve të tij është në vetvete satirik:
“Në Chronicle.SU, ne e marrim seriozisht të vërtetën. Ne e marrim aq seriozisht atë që bëjmë, sa që të pavërtetat në chronicle.su dënohen me gjymtim ose vdekje.
Fatkeqësisht, chronicle.su nuk është e kësaj toke. Pas përplasjes në një asteroid më 30 dhjetor 1976, lëvozhgat aliene të redaktorëve të Chronicle iu përshtatën me shpejtësi klimës së Tokës dhe florës bakteriale. Ata janë në gjendje të mbijetojnë natyrshëm në natyrë dhe të riprodhohen lirshëm.
Këtu në Chronicle.su, ne mbajmë një qëndrim liberal për abuzimin me drogën dhe vjedhjen e pronës intelektuale, por kjo nuk do të thotë që ne jemi liberalë sepse liberalët janë të këqij dhe unë nuk jam djall!”
James Galloway, redaktor i Internet Chronicle, konfirmoi për Reuters se përmbajtja e faqes është satirë, duke shtuar se, “10 vjet më parë, satira ishte më e dallueshme nga realiteti sesa tani.”
Edward Snowden ishte kontraktor për Agjencinë e Sigurisë Kombëtare (NSA) të ShBA, por u arratis në Rusi në vitin 2013 pasi zbuloi detaje në media në lidhje me përgjime të internetit dhe telefonit të kryer nga inteligjenca amerikane. Ai mbetet në mërgim në Rusi dhe u bë shtetas rus në vitin 2022.
Projekti studimor shkencor amerikan i quajtur HAARP shfaqet shpesh në narrativat konspiracioniste si një veprimtari djallëzore që përfshin shkaktimin e tërmeteve, uraganëve, përmbytjeve, thatësirave, stuhive, ndërprerjeve të energjisë, rrëzimit të avionëve apo sëmundjeve.
HAARP është një projekt i përbashkët i Forcave Ajrore Amerikane dhe Marinës Amerikane i kijuar në vitin 1993, i cili i ka kaluar më vonë Universitetit të Alaskës Fairbanks (UAF) në vitin 2015.
Karakteristika e tij kryesore është një transmetues me frekuencë të lartë që përdoret për të studiuar jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Duke analizuar se si valët e radios ndërveprojnë me elektronet në jonosferë, studiuesit në HAARP janë në gjendje të studiojnë fenomene, të tilla si efektet e aurora borealis, ose dritat veriore, në sistemet radio dhe komunikimet e avionëve në lartësi të mëdha.
HAARP ka si objekt studimi dhe eksperimentimi jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Gati të gjithë fenomenet e motit ndodhin më poshtë jonosferës, në troposferë. Kështu, HAARP nuk ka si të ndikojë në fenomenet e motit.
Që në krijimin e tij, HAARP ka qenë në shënjestrën e teorive konspirative. Fakti që puna studimore që kryen HAARP nuk është lehtësisht e kuptueshme nga publiku i gjerë, bën që këtij projekti t’i vishen fuqi mbinatyrore. Në 2016, dy burra nga Georgia, ShBA, u arrestuan me një arsenal masiv armësh. Ata kishin në plan të shkatërronin HAARP sepse besonin se instituti kërkimor manipulonte motin, kontrollonte mendjet e njerëzve, madje edhe rrëmbente shpirtra.
Sipas shkrimtarit të shkencës, Mick West, “mënyra për të përgënjeshtruar teoritë konspirative rreth HAARP është të përpiqesh t’i shpjegosh njerëzve ekzaktësisht çfarë HAARP bën. Shpjegoi se është thjesht një radiotransmetues që është në Alaskë dhe mund të ndikojë vetëm në një sasi të vogël ajri mbi të. Shpjegoji se fuqia e përdorur nga ky radiotransmetues është shumë shumë e vogël krahasuar me çfarë do të duhej për të bërë disa nga gjërat që po pretendohen.”
“Faktoje” ka verifikuar dhe më parë pretendime të ngjashme mbi sistemin HAARP.