.

.

BallinaPremtimeEdi Rama: Brenda fillimit të vjeshtës nisim punën për rrugën Orikum – Llogara

Edi Rama: Brenda fillimit të vjeshtës nisim punën për rrugën Orikum – Llogara

INVA HASANALIAJ

Midis shumë premtimeve për ndërtime dhe rindërtime të rrugëve nga ana e qeverisë, renditet edhe ai për rrugën Orikum–Llogara. Në vijim po ju sjellim në vëmendje disa prej tyre.

9 Nëntor 2017

Kryeministri Edi Rama gjatë inspektimit të Lungomares në Vlorës foli për dy projekte rrugore për të shkurtuar distancën mes Orikumit dhe Himarës.

“Do të transformojmë aksin që na çon nga Radhima në Orikum. Po përgatisim edhe ndërhyrjen në vijën bregdetare të Orikumit. Po diskutojmë të finalizojmë projektin nga Orikumi, përmes Llogarasë e deri poshtë në Himarë. Po diskutojmë dy variante, atë të rrugës ekzistuese me standarde të BE-së dhe një aks pjesërisht të ri, me tunelin në Llogara”, tha kryeministri.

12 Maj 2018

Ministri i Infrastrukturës Damian Gjiknuri, gjatë turit për llogaridhënien publike të qeverisë në Bashkinë Vlorë, prezantoi projektin për ndërtimin e rrugës Orikum-Himarë.

“Mbaruam linjën 110 kilovolt, mbaruam dhe nënstacionin. Po shikojmë për disa fonde edhe nga OSHEE, që brenda një viti ky problem të zgjidhet për të gjithë zonën tuaj. Siç zgjidhëm atë të madhen ku janë 3 milion euro të investuara, po bëjmë edhe një projekt për pjesën e Shëtitores, pra pjesa e Radhimës përfshirë dhe rrugën e re drejt Llogarasë”, theksoi Gjiknuri

23 Qershor 2018

Kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të projekteve në Qarkun Vlorë tha se brenda muajit shtator do të nisin punimet për rindërtimin e plotë dhe me standarde komplet të tjera të rrugës Orikum – Llogara.

Do nisim punën brenda fillimit të vjeshtës për rindërtimin e plotë, me standarde komplet të tjera të rrugës Orikum – Llogara, nga porti i jahteve, deri në hyrje të Llogarasë.  Ka filluar projekti për tunelin e Llogarasë që do të krijojë një lidhje shumë më të shpejtë dhe praktikisht do ta kthejë Parkun Kombëtar të Llogarasë në një destinacion më vete dhe jo në një rrugë kalimi të të gjithë trafikut të sezonit turistik”- tha kryeministri.

“Faktoje” ndoqi me kujdes deklaratat dhe premtimet e dhëna për këtë segment ndërsa, njëkohësisht ka kërkuar të njihet edhe me ecurinë e punimeve.

Aktualisht jemi në muajin tetor dhe nga burimet e “Faktoje” rezulton se punimet ende nuk kanë nisur. Edhe vetë banorët e Orikumit, të kontaktuar nga “Faktoje’’ konfirmojnë një gjë të tillë.

Nisur nga informacionet që disponojmë, “Faktoje” vendosi ta kategorizojë premtimin e kryeministrit dhe qeverisë së tij për rrugën Orikum-Llogara  “TË PAMBAJTUR”.

 

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img