.

.

BallinaProjekteRindërtimi dhe pandemia në Shqipëri: Fakte dhe të dhënaEdhe në Bubq rindërtimi bëhet sagë premtimesh të pambajtura

Edhe në Bubq rindërtimi bëhet sagë premtimesh të pambajtura

Strehimi i banorëve që humbën shtëpinë për shkak të tërmetit është trumpetuar vazhdimisht si një prioritet nga qeveria. Në Bubq janë rreth 150 familje që presin të futen në shtëpitë e reja, të cilat sipas premtimit të ministrit Ahmetaj, do përfundonin në fund të vitit 2020. Një muaj pas skadimit të këtij afati, asnjë banor në Bubq nuk është futur në shtëpinë e re.


Më 22 korrik, ministri i Shtetit për Rindërtimin, zoti Arben Ahmetaj dha të rejat më të fundit gjatë një komunikimi mbi procesin e rindërtimit. Ministri Ahmetaj, pasi tha se Fushë-Kruja do të bëhej një nga zonat zhvillimore më të bukura, specifikoi se e njëjta gjë do të ndodhte edhe me Bubqin.

Marrë nga prezantimi i Ministrit Ahmetaj, 22 korrik 2020

Në prezantimin që shfaqi për zonën e Bubqit, pjesë e Bashkisë Krujë, zoti Ahmetaj tregoi se do të ndërtoheshin 78 banesa individuale ku do të strehoheshin 246 banorë dhe 45 apartamente ku do të strehoheshin 132 banorë. Punimet për realizimin e këtyre shtëpive ishin planifikuar të zgjasnin 6 muaj, duke filluar nga data 26 qershor deri më 26 dhjetor 2020.

Më 24 korrik, ministri Ahmetaj shkoi në Bubq, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Rama, së bashku me kryetarin e Bashkisë Krujë, zotin Artur Bushi. Ky i fundit tha:

“Këtu kemi fillimin e punimeve të sajtit të Bubqit. Duhet të ndërtohen 45 apartamente në pallate dhe 132 vileta (vila të vogla). Plotësohet 45% e nevojave që ka si njësi administrative për ndërtim, pasi numri i përgjithshëm është 300”.

Ndërkohë që po punohej me infrastrukturën, e cila ka një vlerë investimi prej 2.5 mln dollarë, ministri Ahmetaj bëri të qartë afatet se kur do të fillonte ndërtimi i banesave, individuale dhe kolektive.

“Në fund të shtatorit (parashikohet që) ka ecur infrastruktura dhe ka filluar ndërtimi i njësive individuale dhe i pallateve.” – tha ai.

Në atë moment nuk ishin lidhur ende kontratat për shtëpitë individuale, për të cilat kryeministri u shpreh me besim se formalizimi i tyre do të fillonte javën në vijim.

Ministri Ahmetaj dhe kryeministri Rama u rikthyen në Bubq 4 muaj më vonë, më 24 nëntor, në prag të 1-vjetorit të tërmetit. Në ndryshim nga sa kishte thënë më parë ministri Ahmetaj, ndërtimi i shtëpive individuale dhe pallateve ende nuk kishte filluar, ndaj nuk vonoi të jepte një afat i ri.

“Me infrastrukturën këtu po ecet me shumë shpejtësi dhe shumë shpejt do të fillohet pastaj me kombinimin pallatet, ose më mirë banesat kolektive me banesat individuale.

Banesat individuale do t’i kemi të realizuara në krye të gati 50-60 ditëve. Pra në krye të dy muajve do t’i kemi shumë të qarta se si do jetë e gjithë zona.” – tha ministri Ahmetaj gjatë vizitës në Bubq më 24 nëntor.

Në këtë mënyrë, afati fillestar i vendosur nga ministri i Rindërtimit do të shtyhej me të paktën 1 muaj, nga 26 dhjetori që ishte planifikuar fillimisht, në  24 janar 2021. Pavarësisht se infrastruktura ishte ende në zhvillim e sipër, zoti Ahmetaj u shpreh se ajo kishte ecur në kohë rekord.

“Infrastruktura ka ecur në kohë rekord kryeministër. Po e mbani mend para 3 muajsh erdhëm për herë të dytë në fakt, pas inspektimit të sheshit. Sot jemi pothuajse në përfundim të infrastrukturës.” – tha ai.

Në prag të përfundimit të 60 ditëve të vendosura nga ministri Ahmetaj si afat maksimal për përfundimin e banesave individuale, ai së bashku me kryeministrin Rama u kthyen në Bubq, më datë 21 janar. Jo vetëm që banesat e premtuara nuk ishin përfunduar, por ato ende nuk kishin filluar së ndërtuari.

Por në ndryshim nga çfarë ka postuar kryeministri, as infrastruktura, nuk kishte mbaruar. Ndërsa pallatet, që duhej të kishin filluar ndërtimin që në muajin shtator, nisën nga puna pikërisht atë ditë.

“Kemi avancuar gati në përfundim me infrastrukturën nëntokësorë dhe në fillesat e mbitokësores. Siç e shikoni në krah të majtë, kanë filluar sot pallatet. Do të jenë 7 pallate për 45 familje. ” – tha ministri i Rindërtimit në Bubq më 21 janar.

Kantieri i rindërtimit në Bubq, 21 janar 2021

Po ne atë datë, asnjë shtëpi e vetme individuale nuk kishte filluar të ndërtohej, ndërsa zoti Ahmetaj shprehej se kishte përfunduar piketimi se ku këto shtëpi do të pozicionoheshin. Kjo vinte një muaj pas skandencës të afatit brenda të cilit duhej të kishte përfunduar ndërtimi i të gjithë shtëpive, individuale dhe kolektive.

Zona ku po piketohet ndërtimi i shtëpive individuale, 21 janar 2021

“Këtu po piketohen njësitë individuale kryeministër, 78 njësi individuale. Dhe ato e kanë në projekt edhe në dokumentat standarde për të mbaruar për 6 muaj maksimumi.” – shtoi zoti Ahmetaj.

Në përmbyllje të fjalës së tij, ministri i Rindërtimit certifikoi afatin e ri në të cilin pritej të kishte banorë në shtëpitë e reja në Bubq.

“Supozohet që deri në fund të korrikut ne të kemi banorë (këtu).” – tha ai.

Në këtë mënyrë, afati i vendosur nga ministri Ahmetaj për ndërtimin e shtëpive për 150 familje në Bubq, i cili ishte fillimisht 26 dhjetor 2020, shtyhet me të paktën 7 muaj.

Kantieri i rindërtimit në Bubq, 21 janar 2021

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img