.

.

BallinaFaktometerE vërtetëE vërtetë deklarata për libra të rinj falas për klasat 1-3

E vërtetë deklarata për libra të rinj falas për klasat 1-3

Nxënësit nga klasa e 1-3 këtë vit shkollor u pajisën me libra të rinj falas, ashtu sikurse konfirmoi qeveria. Shkolla publike në Tiranë dhe Durrës si dhe prindër të nxënësve të këtij niveli, konfirmuan se morën libra të rinj falas. Gjatë verifikimit rezultoi se duhen shtuar në kategorinë e librave të rinj falas edhe nxënësit e tjerë të arsimit fillor, përkatësisht klasat e katërta dhe të pesta, pasi librat e ricikluar që shpërndahen falas janë të papërdorshëm dhe prindërit detyrohen t’i blejnë. 

Pak ditë para nisjes së vitit të ri shkollor, kryeministri Edi Rama bëri të ditur se sivjet do të merrnin libra të rinj falas edhe klasat e dyta e të treta.

“Mirëmëngjes dhe me nisjen e shpërndarjes së teksteve FALAS për të gjithë nxënësit e shkollave publike 9-vjeçare – ku përveç klasave të para, edhe ato të dyta e të treta do t’i kenë librat falas me një përdorim”-njoftoi Rama nëpërmjet një postimi në Facebook më 1 shtator.

Postimi i kryeministrit Rama në Facebook

Në lidhje me këtë premtim të kryeministrit, Faktoje iu drejtua fillimisht me një kërkesë për informacion Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Ne u interesuam se cilat klasa kanë përfituar libra të rinj falas këtë vit shkollor dhe sa është numri i nxënësve që përfitojnë librat falas.

Kërkesa për informacion dërguar MAS, 4 shtator 2023

Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, nuk kemi marrë një përgjigje nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.

Faktoje bëri një vëzhgim në shkollën ‘Edith Durham’ në kryeqytet më datë 5 shtator, për të parë nëse kishte nisur shpërndarja e librave të rinj falas për këto klasa. Që në hyrje të shkollës ishin vendosur njoftime ku thuhej se librat për klasën e parë, të dytë dhe të tretë janë falas dhe të rinj për nxënësit.

“Shpërndarja e librave do të bëhet në datat 6-7 shtator, ku klasat e para, të dyta dhe të treta i kanë të rinj, ndërsa klasat e tjera të përdorur”, sqaruan mësues të kësaj shkolle për Faktoje.

Mirela, prind i dy fëmijëve në shkollën ‘Kosova’ në Tiranë tregon se librat u janë shpërndarë të rinj.

“Kam djalin në klasën e parë dhe vajzën në klasën e 3. Të dy i kanë marrë librat e rinj”, thotë ajo.

Prindër dhe mësues të shkollës “Kushtrimi i Lirisë” në Durrës konfirmojnë për Faktoje se klasat 1-3 kanë marrë libra të rinj falas.

Ndërkohë për klasat më të larta, mësuesit kishin nisur përgatitjen e pakove të librave, një pjesë të rinj dhe një pjesë të përdorur.

Mirëpo, duket se nxënësit e klasave të pesta nuk janë të kënaqur me librat falas që marrin nga shkolla, pasi ata janë të zhgarravitur e të dëmtuar dhe për këtë arsye detyrohen që t’i blejnë të rinj.

Librat e klasës së 5 të përdorur

Problematika me librat e përdorur ngrihet edhe nga mësues, të cilët shprehen se në grupin për të përfituar libra të rinj falas duhet të përfshihen edhe klasat e katërta e të pesta.

“I mora librat, por ishin të shkruar, një pjesë të grisur dhe nuk punon dot me këta libra. Do i blej të rinj. Ndërsa fletoret e punës thanë që do na i japin të reja ditën e parë të nisjes së shkollës”, tregon Eriku, nxënës i klasës së pestë në shkollën ‘Edith Durham’.

“Në vitet e mëvonshme, të paktën te cikli fillor, pasi ato përdoren shumë shpesh, përdoren gati çdo ditë nga nxënësit dhe janë pak më të konsumuar, ndaj duhet të përfshihet edhe klasa e katërt dhe e pestë, pasi cikli fillor e ka këtë problem. Fëmijët ushqehen, ndotin librat, zhgarravisin, sepse janë të vegjël dhe shumë pak prindër mund t’i mbajnë librat e vjetër”, argumenton Gentiana Gramo, mësuese e arsimit fillor.

Nga verifikimi na rezultoi se ka edhe shkolla ku edhe për klasat më të larta librat e shpërndarë falas ishin të rinj.

Danieli, nxënës i klasës së katërt në shkollën 9-vjeçare “Jeronim De Rada” thotë se librat sivjet i mori librat falas të rinj.

Edhe nënës të klasës së 6 dhe të 7 në shkollën “Kosova” në Tiranë dhe në shkollën “Kushtrimi i Lirisë” në Durrës këtë vit janë pajisur me libra të rinj, por që duhet t’I dorëzojnë në fund të vitit shkollor.

Gjatë vitit shkollor 2023-2024 janë 71 mijë nxënës që do të marrin tekste me një përdorim. Në tërësi, në të gjithë institucionet e arsimit parauniversitar janë 242 mijë nxënës përfitues të librave falas, ku përfshihen libra të përdorur dhe të rinj.

Në një artikull të publikuar në shtator të një viti më parë, Faktoje raportoi se nxënësit e arsimit bazë do t’i riktheheshin mësimit me libra të përdorur, edhe pse në programin qeverisës 2021-2025 parashikohej pajisja me libra të rinj falas.

Ndërsa, referuar përgjigjes nga Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit Parauniversitar, librat që shpërndahen falas për nxënësit e arsimit bazë do të ripërdoren deri në tre vite, në varësi të gjendjes së teksteve.

Nisur nga verifikimi i kryer dhe informacioni i grumbulluar, deklaratën e kryministrit për shpërndarjen e librave të rinj falas nga klasa e parë deri në të tretë, do ta kategorizojmë të Vërtetë.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img