Pretendimet e shpërndara në rrjetet sociale se 150 fëmijë kanë humbur në Shqipëri në 4 muajt e parë të këtij viti, nuk janë të vërteta. Faktoje sjell të dhënat që tregojnë se kemi të bëjmë me një informacion të rremë dhe të pabazuar në fakte.
Në një postim të shpërndarë në Facebook më 19 korrik, pretendohet se 150 fëmijë kanë humbur në vendin tonë, në 4 muajt e parë të këtij viti.
“E pabesueshme! 150 fëmijë kanë humbur në Shqipëri gjatë 4-mujorit të parë të vitit, e mediat nuk thonë asgjë qoftë edhe për një fëmijë. Kampet për fëmijë ngrihen si kërpurdha, sidomos ato fetare. Boll te thuash emrin e fëmijës që kërkon dhe të plotësohet kërkesa për ta takuar”-shkruan një përdoruese në rrjetet sociale.
Postimi i shpërndarë në rrjetet sociale
Mirëpo, ajo që vihet re është se kjo përdoruese nuk i referohet ndonjë burimi informacioni për këto të dhëna të publikuara, thjesht jep disa statistika të pabazuara. Këto janë elementë që të bëjnë të dyshosh mbi vërtetësinë e publikimit dhe postime të tilla përhapin panik te qytetarët.
Nisur nga kjo, Faktoje vendosi të bëjë një verifikim të postimit, fillimisht duke iu referuar strukturave përgjegjëse.
Të kontaktuar nga Faktoje në lidhje me këtë çështje, burime zyrtare në Policinë e Shtetit bënë të ditur se nuk ka asnjë fëmijë të zhdukur në Shqipëri në periudhën në fjalë.
Më 25 maj të këtij viti, në Diën Ndërkombëtare të Fëmijëve, Shqipëria njoftoi shpalljen e sinjalit ‘Amber’. Sinjali Amber është një njoftim i lëshuar nga policia, për të angazhuar institucionet e zbatimit të ligjit dhe mbrojtjes së fëmijëve, OSHC-të dhe të gjithë komunitetin në gjetjen dhe rikuperimin e një fëmije të humbur ose të zhdukur.
Sipas të dhënave nga organizatat në Shqipëri, por edhe nga Policia e Shtetit, çdo vit në Shqipëri humbasin rreth 120 fëmijë, por ata arrijnë të gjenden në një kohë të shpejtë. Mund të jenë largime nga shtëpia disa orëshe apo ditore, për konflikte të ndryshme familjare apo edhe problematika të tjera.
“Në Shqipëri thuajse çdo vit humbin apo largohen nga shtëpia 100-120 fëmijë dhe adoleshentë, të cilët shpesh gjenden në situate të rrezikut të jetës apo sigurisë së tyre”, njofton Qendra Kombëtare e Fëmijëve të Humbur në Shqipëri, CRCA / ECPAT.
Referuar të dhënave, në harkun kohor të 30 viteve rezultojnë vetëm 16 fëmijë dhe të mitur të zhdukur në Shqipëri. Një prej rasteve më të njohura është ai i Bleona Matës, vajza e humbur 13 vite më parë në fshatin Zapod të Kukësit.