Pretendimi: Kjo video tregon një helikopter duke hedhur pluhur mbi Shkup më 9 janar

Verdikti: E pavërtetë

———————————————————- 

Video e një helikopteri që lëshon një pluhur me ngjyrë në ajër është postuar më 9 janar 2025 në Facebook shoqëruar me mbishkrimin “Sot në Shkup.” Postimi ka marrë mbi 4 mijë pëlqime dhe është shpërndarë mbi 1000 herë nën shqetësimin e komenteve se diçka e rrezikshme po hidhet nga qielli. 

Pamjet kanë tërhequr më shumë interes duke e lidhur vendndodhjen e saj me qytetin e Shkupit dhe teoritë konpsiracioniste për spërkatje të qëllimshme me kimikate nga qielli.

Verifikimet e imazheve në motorit e kërkimit Google Lens konfirmojnë se video është bërë virale në rrjetin social TikTok pas publikimit në 30 nëntor 2024. Ky verifikim rrëzon mundësinë që video të jetë filmuar në 9 janar 2025. Video në TikTok shoqërohet me hashtag-un Florida dhe në një moment të videos dallohen palma dhe bimë të tjera që janë të zakonshme në klimën e kësaj zone. Këto detaje “rrëzojnë” fluturimin e helikopterin mbi kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut.  

Faktoje gjeti gjithashtu se video e mësipërme tregon një ceremoni zbulimi të gjinisë së bebit, të organizuar nga kompania Group 3 Helicopters që ofron këtë shërbim në Los Angeles.

Modeli i helikopterit që shfaqet në video përkon me ato të përdorur nga Group 3. Rotori i vendosur në pjesën e pasme të majtë, stabilizuesit në anën e djathtë dhe forma e tij drejtkëndore në pjesën e pasme të kabinës janë të gjitha karakteristika specifike të këtij modeli.

Kompania deklaron në faqen e saj të internetit se përdor pluhur për zbulimet e gjinisë, ndryshe nga kompanitë e tjera që preferojnë tym me ngjyrë. Ky aspekt është i dukshëm nga shpejtësia e rënies së pluhurit ende të kondensuar, pastaj shpërndarja e tij graduale.

Helikopteri hedh në ajër një pluhur, i cili në fund të videos zbulohet të jetë ngjyrë rozë. Foshnja do jetë vajzë!