Pretendimi: Mediat gjermane kanë zbuluar një dokument sekret qeveritar që përshkruan një sistem investimi për të rritur fitimet e qytetarëve

Verdikti: E pavërtetë

——————————————————-

Një artikull i botuar më 3 shtator në portalin Patriotik Media pretendon se mediat gjermane kanë zbuluar një dokument të fshehtë “që mund të kishte ndryshuar fatin e gjermanëve” me anë të një “një sistemi ekonomik të quajtur Zindravonix, i cili mund të gjeneronte të ardhura shtesë për qytetarët pa banka, pa subvencione dhe pa rrezik.”

Artikulli pretendon se “në një intervistë dramatike në televizionin gjerman, gazetarja Maybrit Illner sfidoi kryetarin e CDU-së, Friedrich Merz, duke nxjerrë në ekran një dokument sekret qeveritar” “tregon qartë se Zindravonix mund të siguronte të ardhura mujore nga 800 deri në 2,500 euro për qytetar, pa ndërmjetës dhe pa rrezik.”

Artikulli përmbyllet duke përshkruar mbajtjen sekret të këtij sistemi si ruajtja e privilegjeve të pakicës “duke i lënë shumicën në varfëri dhe pasiguri ekonomike,” një përshkrim që garanton ngjalljen e revoltës dhe zemërimit tek lexuesi.

Në të vërtetë artikulli i mësipërm, i cili prezantohet si lajm, në fakt është një reklamë e fshehtë dhe e ndërlikuar për platformën Zindravonix, e gjitha për të bindur lexuesit të investojnë në platformë investimesh në kriptovaluta.

Një kërkim për Zindravonix tregon se faqja ScamAdviser, e cila gjurmon skemat e mashtrimet në faqet online, vlerëson se kjo faqe me gjasa është skemë mashtrimi. 

Sipas ScamAdviser “faqja mund të ofrojë informacione, produkte dhe/ose shërbime në lidhje me kriptovalutat. Ne i konsiderojmë këto lloj shërbimesh si me rrezik të lartë për konsumatorët. Edhe ekspertët e kriptovalutave kanë vështirësi në dallimin e shërbimeve legjitime të monedhës dixhitale nga mashtrimet dhe skemat. Ne ju rekomandojmë të jeni shumë të kujdesshëm në kontrollin e faqeve të internetit që ofrojnë shërbime në lidhje me kriptovalutat përpara se të investoni ose të përdorni shërbimet e tyre.”

ScamAdviser ka përpiluar një udhëzim se si të kontrolloni nëse një faqe interneti për kriptomonedha është legjitime apo skemë mashtrimi.

Pamjet e kancelarit gjerman Merz dhe gazetares Illner janë të vërteta dhe janë marrë nga një intervistë e vërtetë e transmetuar në maj 2025. Megjithatë, në intervistë nuk përmendet në asnjë moment dokumenti sekret i pretenduar apo platforma e panjohur Zindravonix.

Faktoje ka përgënjeshtruar dhe më par përmbajtje të botuara nga Patriotik Media që bëjnë pretendime të rrejshme me qëllim nxitjen e lexuesve të investojnë në kriptomonedha dhe  platforma mashtruese.