Një sërë portalesh shqipfolëse kanë raportuar së fundmi mbi një “sfidë të rrezikshme në TikTok” e cila thuhet se ka vrarë katër persona në Alabama, ShBA. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se autoritetet e Alabamës kanë përgënjeshtruar se ka patur vdekje të lidhura me ndonjë trend në TikTok.

——————————————-

“Sfida e kërcimit nga varka në rrjetin social TikTok, shfaq njerëzit duke kërcyer nga pjesa e pasme e anijeve ndërsa lëvizin me shpejtësi të madhe është fajësuar, ku si pasojë katër persona kanë humbur jetën në Alabama,” raporton Gijotina në 9 korrik 2023. Një sërë mediash dhe portalesh të tjerë kanë përsëritur të njëjtin lajm sensacional.

Artikujt i referohen një deklarate të Jim Dennis, kapitenit të Skuadrës së Shpëtimit të Childersburg, Alabama, i cili tha për televizionin lokal ABC se “në gjashtë muajt e fundit kemi patur 4 mbytje që mund të ishin lehtësisht të shmangshme. Ata po bënin një sfidë TikToku.”

Megjithatë, në 10 korrik, Agjensia e Zbatimit të Ligjit të Alabamës (ALEA) e përgënjeshtroi lajmin në Twitter, duke deklaruar se Patrulla Detare e kësaj agjensie “nuk ka raste të dokumentuara të vdekjeve nga aksidentet në det që mund të lidhen në mënyrë direkte me TikTok apo me një trend në TikTok”

Deklarata e agjensisë thotë gjithashtu se “një individ u plagos për vdekje pasi u hodh nga një varkë në lëvizje në 2020 dhe një vdekje e ngjashme ndodhi në 2021, megjithatë, asnjë nga këto vdekje nuk mund të lidhet me TikTok.”

ALEA i tregoi Associated Press detajet e gjashtë vdekjeve që kanë ndodhur në det, lumë, apo trupa të tjerë ujorë këtë vit në Alabama. Asnjë nga raportet e incidenteve nuk përmend TikTok apo ndonjë sfidë.

Këto incidente përfshijnë një 79-vjeçar që u mbyt pasi ra nga varka e tij e peshkimit në lumë gjatë natës, një 65-vjeçar që u mbyt në liqen pasi zbriti nga varka për të ndihmuar një qen, një 19-vjeçar që u përplas me motorr uji në një pemë, dhe një burrë që u mbyt pasi varka ku lundronte goditi një urë dhe u përmbys.

Ndërsa Jim Dennis, citimi i të cilit u përdor si burim për këtë lajm, e ndryshoi deklaratën e tij fillestare, duke thënë se ajo u nxorr nga konteksti. “Kemi patur katër mbytje në 6-8 muajt e fundit dhe disa prej tyre ishin thjesht mbytje,” tha Dennis. Ai shtoi se në një nga rastet ku kishte punuar skuadra e tij, dikush ishte hedhur nga një varkë në lëvizje, por nuk e dinte nëse kjo kishte lidhje me ndonjë sfidë në TikTok.

Një zëdhënës i TikTok tha se “hedhja nga varka” nuk ka qenë ndonjëherë trend në platformë.