Pretendimi: Ilir Alimehmeti këshillon në një intervistë trajtimin ndaj parazitëve

Verdikti: E pavërtetë

———————————————————————-

Reklamimi i medikamenteve në formën e këshillave mjekësore nga mjekë të rremë është një nga format e dizinformimit të qëllimshëm në rrjet. I tillë është dhe artikulli që shfaqet në Facebook, nën titullin “Rrëfimi tronditës i patologut: 9 nga 10 persona që kanë ndërruar jetë, janë plot me parazitë. Parazitët janë shkaku i vdekjes në 78% të rasteve! Ka shpëtim, por të gjithë heshtin për të! Kush përfiton nga kjo?”

Artikulli pretendon se mjeku Ilir Alimehmeti sugjeron një preparat për trajtimin e parazitëve. 

Faqja është ndërtuar për t’i përngjasuar një medie të mirëfilltë. Shkrimi është ndërtuar në formën e një interviste me mjekun e njohur.

Megjithatë, në brendësi të ‘artikullit’, të gjitha rrugët të çojnë tek një produkt, të cilin mund ta blejë dhe vetë lexuesi për vetëm 9,400 lekë, ose 4,700 lekë me ulje.

Artikulli pretendon se Ilir Alimehmeti është patolog në Spitalin e Parë Klinikë të Tiranës, por Alimehmeti është mjek epidemiolog klinik dhe jo patolog.

Vetë Alimehmeti ka njoftuar në Maj 2024 se intervista është e rremë, duke u bërë thirrje qytetarëve të mos bien pre e mashtrimeve.

“Tjetër mashtrim që përdor jo vetëm emrin tim, por edhe logon e medias Newsbomb. Ju lutem, mos bini pre e këtyre mashtrimeve të rëndomta që kanë për arsye vetëm shitjen e këtyre produkteve mashtruese. Nëse keni informacion për autorët, ju lutem t’i denonconi tek autoritetet,” apelonte mjeku.