Pretendimi: Në këtë video, gruaja e Daniel Shimës tregon se çfarë zbuluan kamerat për drejtorin e zhdukur

Verdikti: E pavërtetë

————————————————————————-

Një video e botuar më 21 gusht 2025 nga kanali Vjosa TV pretendon të përmbajë fjalët e gruas së “drejtorit të zhdukur” Daniel Shima mbi çfarë zbuluan kamerat e sigurisë.

Video duket se i referohet lajmit të bujshëm për ish-zv.drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) Daniel Shima, i cili u deklarua i zhdukur nga familjarët më 20 gusht 2025, për t’u rishfaqur disa orë më vonë.

Megjithatë, shikuesi kurioz do të zhgënjehet kur të shohë videon.

Në të, nuk përmendet, e aq më pak të flasë, gruaja e Shimës. Kjo sepse ajo në fakt nuk ekziston. Shima nuk rezulton të jetë i martuar dhe raportimet në media flasin për një partnere ose të dashur. Daniel Shima kur u kthye tha se ishte larguar me dëshirë, pas një konflikti me partneren e tij.

Më tej, video premton të tregojë çfarë “zbuluan kamerat për Daniel Shimën”, por zhgënjen duke thënë se “kamerat e asaj zone i kishin fshirë pamjet duke ngritur akoma më shumë dyshime se një dorë e fuqishme qëndron pas kësaj ngjarjeje.” 

Për këtë pretendim, si zakonisht, nuk sillet ndonjë provë apo burim. Asnjë njoftim i policisë apo raportime të mediave të tjera nuk përmendin fshirjen e kamerave. Përkundrazi, gazetarja Klodiana Lala raporton se kamerat e sigurisë e kanë filmuar Shimën në makinën e tij në Qytetin Studenti dhe deri në dalje të tunelit të rrugës Tiranë-Elbasan.