Pretendimi: Bota do të ndahet në shtatë mbretëri siç tregohet në këtë imazh
Verdikti: E pavërtetë
———————————————————-
Në rrjete konspiracioniste po qarkullon pretendimi se figura si presidenti amerikan Donald Trump, presidenti rus Vladimir Putin dhe “pesë personalitete të tjera që mund të mburren me një angazhim të ngjashëm” do të ndajnë Tokën në 7 mbretëri. Postimi shoqërohet edhe me një hartë që duket se tregon këto shtatë mbretëri.
Si zakonisht, pretendimi i jashtëzakonshëm nuk shoqërohet me ndonjë provë apo burim.
Harta që shoqëron postimin dukshëm nuk i përngjet ndonjë harte të planetit tonë.
Në fakt, me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se harta tregon shtatë mbretëritë e kontinentit Westeros, ku ndodhin ngjarjet e serisë së famshme të librave A Song of Ice and Fire nga George R. R. Martin, dhe serialit të bazuar mbi të Game of Thrones.
Imazhi specifik që shoqëron postimin e sipërm duket se është një hartë e krijuar nga një përdorues i videolojës Crusader Kings II, si pjesë e një sërë modifikimesh të dizenjuara për ta bërë lojën origjinale t’i përngjajë botës së krijuar nga George R. R. Martin.