Foto e shtyllës në mes të korsisë së biçikletave nuk është shkrepur në Sauk të Bashkisë Tiranë. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se foto në fjalë ka qarkulluar në internet që në 2019 me pretendime se ajo është shkrepur në vende të ndryshme, nga Greqia në Gjeorgji.
——————————————
Një foto që tregon korsinë e biçikletave anës një rruge, të ndërprerë nga një shtyllë dhe disa pemë, po qarkullon në hapësirat online shqipfolëse me pretendimin se kjo korsi gjendet në Sauk, Bashkia Tiranë.
Me anë të motorit të kërkimit të imazheve Tineye, “Faktoje” zbuloi se foto origjinale është postuar fillimisht në Facebook nga një përdorues spanjoll në Mars të 2019.
Foto është postuar fillimisht në Mars 2019
Siç duket, foto është modifikuar ndërsa qarkullonte nëpër interent, me fjalën “solo” që është fshirë nga imazhi origjinal. Mjafton kjo fjalë në gjuhë të huaj për të hequr çdo dyshim se korsia ndodhet në Sauk apo në ndonjë zonë tjetër të Shqipërisë.
Foto ka qarkulluar në internet si shembull i një gafe planifikimi, nganjëherë duke u shoqëruar edhe me pretendime se kjo korsi ndodhet në vende te ndryshme, si Greqi, Gjeorgji, dhe Irlandë.
Megjithatë, vendi ku është shkrepur foto mbetet i pakonfirmuar dhe nuk përjashtohet mundësia që të jetë edhe një montazh i realizuar me cilësi të lartë.