Pretendimi: Kjo është video e pjesëmarrjes së Cristiano Ronaldo në varrimin e vëllezërve Jota
Verdikti: E pavërtetë
Barbara Halla
Aksidenti tragjik që i mori jetën futbollistit portugez Diogo Jota dhe vëllait të tij, më 3 korrik 2025, u bë një lajm botëror përtej publikut sportdashës. Në ditët që pasuan, një nga titujt që qarkulloi ishte mungesa e yllit portugez Cristiano Ronaldo në varrimin e dy vëllezërve Jota.
Duke shfrytëzuar këtë interes, në rrjet qarkulloi një video që pretendoi se shfaqte Ronaldon duke marrë pjesë në këtë funeral. Pamjet u publikuan në 4 korrik edhe nga portali në gjuhën shqipe Politikajashtme.com, duke siguruar mbi 860 mijë shikime dhe qindra komente.

Në video dallohet Ronaldo që po ecën i ndjekur nga një turmë fansash që e ndjekin duke i bërë fotografi. Në anglisht shkruhet mbi video “Cristiano Ronaldo ka mbërritur në funeralin e Diogo Jota”. Në të vërtetë, Ronaldo nuk mori pjesë në funeral dhe videoja në fjalë nuk ka të bëjë me këtë ngjarje.
Videoja nuk ka një origjinë të qartë edhe pse versoni me shkrimin në anglisht duket të jetë marrë nga platforma TikTok ku postimi ka arritur mbi 2.5 milion reagime. Në rrjet kanë qarkulluar imazhe të tjera të këtij tipi, duke përfshirë imazhe të manipuluara me AI, por asnjëra prej tyre nuk është e vërtetë, ose është nxjerrë nga konteksti.
Varrimi i vëllezërve Jota u mbajt më 5 korrik në Igreja Paroquial de Gondomar, pranë Portos. Disa figura të shquara nga bota e futbollit ishin të pranishëm, përfshirë shokët e ekipit të Liverpoolit. Megjithatë, mungonte dukshëm Cristiano Ronaldo me të cilin Jota ka luajtur në ekpin kombëtar të Portugalisë.
Sipas burimeve të besueshme si Yahoo Sports, Ronaldo vendosi të mos marrë pjesë në funeral për arsye personale. Duke cituar mediat portugeze, Yahoo Sports raporton se duke ditur natyrën e famës së tij, Ronaldo donte të shmangte turmat që mund ta kthenin funeralin në një spektakël mediatik, duke respektuar kështu familjen e Jotës.
Motra e tij, Katia Aveiro, konfirmoi se Ronaldo bëri këtë zgjedhje në konsultim dhe me familjen e Jotës, për të evituar atë që i kishte ndodhur vetë Ronaldos gjatë funeralit të të atit në 2005. Edhe përse mungoi nga funerali, Ronaldo i bëri homazh Jotës me një mesazh të përzemërt në Instagram.