Pretendimi: Vaksina kundër poliomelitit nuk funksionon sepse poliomeliti nuk shkaktohet nga një virus infektiv

Verdikti: E pavërtetë

—————————————————————–

“Një nga arsyet pse vaksina e poliomelitit nuk funksionon është sepse poliomeliti nuk shaktohet nga një virus infektiv,” pretendon artikulli i portalit Mjekësia Bimore Arabe.

Artikulli i mësipërm duket se është një përkthim në shqip i intervistës së nefrologes Suzanne Humphries nga Joseph Mercola, një osteopat, i cili është quajtur një nga shpërndarësit më të mëdhenj të teorive anti-vaksinim 

Humphries pretendon gjatë intervistës se vaksina e poliomelitit nuk funksionon sepse ky i fundit nuk shkaktohet nga një virus, por “nga toksinat.”

Ky pretendim është i pavërtetë. 

Profesori i mjekësisë Walter Orenstein nga Universiteti Emory tha për AFP se poliomeliti “nuk shkaktohet nga një toksinë, por nga një virus, poliovirusi.”

Sipas Qendrës amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC), poliovirusi është shumë ngjitës dhe mund të shpërndahet me anë të personave asimptomatikë. Shumica e personave që infektohen nuk shfaqin simptoma. Megjithatë, sipas Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSh) një në 200 infeksione shkakton “paralizë të pakthyeshme (zakonisht të këmbëve).”

Sipas CDC, “paraliza është simptoma më e rëndë që lidhet me poliovirusin sepse mund të shkaktojë paaftësi të përhershme dhe vdekje.” Nuk ekziston një kurë për poliomelitin paralitik.

Sipas Orenstein, mënyra më e mirë për të shfarosur poliomelitin është të vaksinohen “të gjithë personat për të cilët rekomandohet.”

Vaksina e parë e poliomelitit u miratua për përdorim në ShBA në 1955. Si rezultat i fushatave të gjera të vaksinimit, poliomeliti u zhduk në vend dhe, sipas CDC, ShBA nuk ka patur raste të reja që në 1979. 

Cikli jetësor i poliovirusit

Sipas profesores së mjekësisë Jessica Justman nga Fakulteti i Shëndetit Publik i Columbia University, “ne ende nuk kemi arritur shfarosje botërore [të poliomelitit], kështuqë duhet të vijojmë vaksinimi që njerëzit, dhe në vecanti fëmijët, mund të mbrohen nga paralizimi nga poliomeliti.”

Në 2023, Iniciativa Globale për Shfarosjen e Poliomelitit tha se mbi 400 milionë fëmijë ishin vaksinuar kundër poliomelitit, “duke parandaluar kështu rreth 650 mijë raste paralizimi nga poliomeliti dhe duke shëtuar jetët e deri në 60 mijë fëmijëve.”