Video e një incidenti “graviteti” gjatë një lidhjeje direkte televizive të disa astronautëve, nuk është dëshmi se udhëtimi në hapësirë po “falsifikohet”, siç pretendojnë disa përdorues në internet. Verifikimet dëshmojnë se pamjet janë të modifikuara qëllimisht.
Më 29 qershor, përdorues në rrjetet sociale kanë publikuar një video ku pretendojnë se tregohet mashtrimi i NASA-s për udhëtimet në hapësirë, një teori kjo e përhapur gjerësisht në rrethet e konspiracionistëve.
‘Lojërat e NASA s’-shkruajnë përdoruesit në rrjetet sociale, krahas pamjeve të publikuara.
Postimi i shpërndarë në rrjetet sociale
Videoja tregon pesë astronautë, teksa një prej astronatëve në krahun e djathtë shihet duke mbajtur një mikrofon dhe një top. Në një moment ai e lëshon topin dhe duket sikur ai bie poshtë, ndërsa kolegët e tij përpiqen që ta kapin.
Mirëpo, e gjithë skena ku topi duket sikur bie poshtë është jashtë kamerave dhe nuk shfaqet në video. E gjithë kjo skenë ka nxitur një sërë teorish në rrjetet sociale, duke akuzuar NASA-n për mashtrim.
Në lidhje me këto aludime, ne vendosëm të bëjmë një verifikim të pamjeve, për të kuptuar se çfarë ndodhi në të vërtetë. Nga kërkimi i bërë nëpërmjet mjeteve të verifikimit të videove, rezulton se pamjet në fakt i përkasin prillit të vitit 2021.
Sipas përshkrimit, astronautët e NASA-s, Mike Hopkins, Shannon Walker, Victor Glover, Mark Vandehei dhe Soichi Noguchi të Agjencisë Japoneze të Kërkimit të Hapësirës Ajrore po bënin një intervistë direkte me kantautorin Shawn Mendes për Ditën e Tokës.
Po të shohim videon e plotë, vihet re se në minutën e 18:30 topi bie, ndërsa në minutën 18:50 topi ngrihet sërish lart vetë, pa ndihmën e askujt.
Një detaj tjetër që mund të dallohet lehtësisht, që tregon se ata po sfidojnë gravitetin janë flokët e Shannon Walker, mikrofoni dhe këmishat e astronautëve
Pamjet e plota dëshmojnë qartë se klipi është modifikuar që të duket sikur topi bie për shkak të gravitetit. Videoja e plotë tregon topin duke “lundruar” mes astronautëve në Stacionin Ndërkombëtar të Hapësirës.
Pamjet në fjalë janë verifikuar edhe nga kolegët e verifikimit të fakteve të Reuters.