.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookE paprovuar lidhja mes vaksinimit dhe autizmit tek fëmijët e mitur

E paprovuar lidhja mes vaksinimit dhe autizmit tek fëmijët e mitur

Pretendimi: Fëmijët e mitur nuk duhen vaksinuar sepse bëhen autikë

Verdikti: E pavërtetë

Fakti që këshilla vjen nga një punonjëse shëndetësore e huaj nuk është një provë e besueshme për vërtetësinë e saj. I tillë është rasti i një video të një mjekeje spanjolle që publikohet në Facebook si dëshmi për rrezikun nga vaksinimi i fëmijëve të vegjël.

Mjekja në fjalë prezantohet si doktoreshë Izabel Bellostas, e cila citohet të thotë në video se fëmijët deri 2 vjec nuk duhet të vaksinohen. Si shembull sillet prej saj rasti i një mikeshe që iu sëmurën të dy fëmijët me autizëm.

Nga verifikimet e mëtejshme rezulton se deklarata e pediatres spanjolle është e vërtetë, por teoritë e saj nuk kanë bazë mjekësore.

Në artikuj dhe intervista të saj, prej vitit 2018, pra përpara pandemisë së Covid-19, ajo ka pretenduar se ka prova që vaksinimi tek fëmijët është i dëmshëm. Këto deklarata rezultuan në refuzimin e familjeve për të ndjekur fushatat e institucioneve publike të vaksinimit. Në këtë vit, numëroshin rreth 30 mijë fëmijë të pavaksinuar vetëm në rajonin e Barcelonës.

Ajo prezantohet si pediatre dhe është e listuar si e tillë në listat e disa qendrave mjekësore private në rajonin e Madridit. Gazeta e njohur spanjolle EL PAÍS, në një artikull investigues të vitit 2019, nuk ishte në gjendje të konfirmonte nëse ajo është e kualifikuar në këtë fushë, as të konfirmonte versionin e saj të ngjarjeve, pavarësisht thirrjeve të shumta në numrat e saj të telefonit.

Në qershor 2019, Shoqata Mjekësore e Madridit (Icomem), vendosi pezullimin e ushtrimit të detyrës si mjeke për 364 ditë për Isabel Bellostas për përhapjen e “pretendimeve të pambështetura, kundër provave shkencore, mbi origjinën dhe shkakun e çrregullimit të spektrit të autizmit”. Sipas këtyre burimeve, Bellostas është akuzuar për sjellje të pahijshme serioze për teoritë e saj mbi autizmin dhe për “promovimin e trajtimit dhe operacioneve që nuk kanë plotësisht prova që kanë efekte të rënda shëndetësore për pacientët”. Icomem ka konfirmuar kohëzgjatjen e ndalimit, por jo nëse ai është aplikuar për Bellostas.

Ndalimi ndaj Bellostas erdhi pasi Konfederata Spanjolle e Autizmit raportoi mjeken për mashtrim dhe krijim të shpresave të rreme ndaj familjeve.

Në provat e prezantuara në çështjen kundër Bellostas, mjekja u gjet fajtore se u jepte shpresa të rreme prindërve të fëmijëve autikë, duke i siguruar se çrregullimi është i kthyeshëm. “Pasi vendoset diagnoza, e ardhmja duket e zezë dhe shumë e errët, sepse nuk të japin shpresë për shërim. Por kjo nuk është e vërtetë, thjesht mjekët normalë nuk janë të trajnuar për të ndihmuar fëmijën tuaj të shërohet”, shkruante Bellostas, përpara se të paralajmëronte prindërit: “Mos e vaksinoni më kurrë një fëmijë me autizëm”. Në këtë pjesë të letrës duket se pediatrja këshillon të mos vaksinohen fëmijët që kanë autizëm.

Nga ana tjetër, një sërë studimesh dëshmojnë se vaksinimi i fëmijëve nuk shkakton autizëm. Pavarësisht shumë shqetësime se ASD (Çrregullimi i spektrit autik) mund të lidhet me vaksinat që marrin fëmijët, studimet kanë treguar se nuk ka asnjë lidhje midis marrjes së vaksinave dhe zhvillimit të ASD.

Akademia Kombëtare e Mjekësisë, e njohur më parë si Instituti i Mjekësisë, shqyrtoi sigurinë e 8 vaksinave për fëmijët dhe të rriturit”, sqaron Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, CDC.

Sipas Autism Speaks hulumtimet tregojnë se gjenetika është e përfshirë në shumicën dërrmuese të rasteve. “Fëmijët e lindur nga prindër të mëdhenj në moshë janë në rrezik më të lartë për të pasur autizëm. Prindërit që kanë një fëmijë me ASD kanë një shans 2% deri në 18% për të pasur një fëmijë të dytë, i cili gjithashtu është i prekur.

Gjatë dy dekadave të fundit, kërkime të gjera kanë pyetur nëse ka ndonjë lidhje midis vaksinimeve të fëmijërisë dhe autizmit.

Siç sqarohet në studime të shumta, dhe Faktoje ka shpjeguar më parë, nuk ka asnjë lidhje të provuar midis vaksinave dhe autizmit. Megjithatë, 83% e rasteve të autizmit mund të lidhen me faktorë gjenetikë të trashëguar.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img