E pabazë teoria që fajëson teknologjinë HAARP për përmbytjet në Greqi

728

Konspiracionistët vazhdojnë t’ia veshin përgjegjësinë për çdo katastrofë natyrore fuqive ‘mbinatyrore’ të projektit studimor shkencor amerikan të quajtur HAARP. Së fundmi, HAARP po fajësohet për përmbytjet që ka përjetuar Greqia këtë Shtator. “Faktoje” shpjegon sërish se HAARP është thjesht një radiotransmetues që mund të ndikojë vetëm në një sasi të vogël ajri mbi vete dhe aftësitë mbinatyrore që i vishen janë të pabaza.

——————————————–

Një video që tregon pamje nga ishulli grek Volos përgjatë një stuhie po shitet nga konspiracionistët si ‘provë’ se përmbytjet në Greqinë qendrore janë shkaktuar nga “sistemi HAARP”.

Video është shoqëruar gjithashtu me pretendimin se ka patur “mijëra të vdekur dhe të humbur” si pasojë e përmbytjeve. Ky pretendim është i pavërtetë. Në 10 shtator, autoritetet greke raportuan se përmbytjet ishin bërë shkak për vdekjen e 15 personave.

Me anë të motorit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, Faktoje zbuloi se video që po qarkullon në internet është postuar fillimisht në Youtube më 5 shtator 2023 me titullin: “Moti i keq Daniel: Stuhi e fuqishme në Volos 5-9-23”.

Në video nuk përmendet HAARP dhe nuk vërehet asgjë e pazakontë për një stuhi. Rrufetë që ndriçojnë qiellin gjatë stuhisë konspiracionistët i shohin si veprim i HAARP, sikurse një grek i lashtë do i shihte si një veprim i Zeusit.

Siç “Faktoje” ka shpjeguar më parë, HAARP është një projekt i përbashkët i Forcave Ajrore Amerikane dhe Marinës Amerikane i kijuar në vitin 1993, i cili i ka kaluar më vonë Universitetit të Alaskës Fairbanks (UAF) në vitin 2015. 

Karakteristika e tij kryesore është një transmetues me frekuencë të lartë që përdoret për të studiuar jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Duke analizuar se si valët e radios ndërveprojnë me elektronet në jonosferë, studiuesit në HAARP janë në gjendje të studiojnë fenomene, të tilla si efektet e aurora borealis, ose dritat veriore, në sistemet radio dhe komunikimet e avionëve në lartësi të mëdha.

Që në krijimin e tij, HAARP ka qenë në shënjestrën e teorive konspirative. Fakti që puna studimore që kryen HAARP nuk është lehtësisht e kuptueshme nga publiku i gjerë, bën që këtij projekti t’i vishen fuqi mbinatyrore duke e etiketuar si shkaktar i përmbytjeve, uraganeve, thatësirave, tërmeteve, stuhive, ndërprerjeve të energjisë, rrëzimit të avionëve, sëmundjeve. Në 2016, dy burra nga Georgia, ShBA, u arrestuan me një arsenal masiv armësh. Ata kishin në plan të shkatërronin HAARP sepse besonin se instituti kërkimor manipulonte motin, kontrollonte mendjet e njerëzve, madje edhe rrëmbente shpirtra.

Sipas shkrimtarit të shkencës, Mick West, “mënyra për të përgënjeshtruar teoritë konspirative rreth HAARP është të përpiqesh t’i shpjegosh njerëzve ekzaktësisht çfarë HAARP bën. Shpjegoi se është thjesht një radiotransmetues që është në një vend në Alaska dhe mund të ndikojë vetëm në një sasi të vogël ajri mbi të. Shpjegoji se fuqia e përdorur nga ky radiotransmetues është shumë shumë e vogël krahasuar me çfarë do të duhesh për të bërë disa nga gjërat që po pretendohen.”

HAARP ka si objekt studimi dhe eksperimentimi jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Gati të gjithë fenomenet e motit ndodhin më poshtë jonosferës, në troposferë. Kështu, HAARP nuk ka si të ndikojë në fenomenet e motit.

“Faktoje” ka verifikuar dhe më parë pretendime të ngjashme mbi sistemin HAARP.