Pretendimi: Presidenti francez Emmanuel Macron telefonoi udhëheqësin iranian Khamenei për t’iu lutur të ndalonte luftën
Verdikti: E pavërtetë
—————————————————————
Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon një bisedë e pretenduar mes presidentit francez Emmanuel Macron dhe udhëheqësit të ri iranian Khamenei, në të cilën Macron lutet për ndalimin e luftës dhe lejimin e kalimit të anijeve franceze në ngushticën e Hormuzit. Pretendohet në këtë bisedë se Khamenei kushtëzoi kalimin e anijeve me përjashtimin nga Franca të ambasadorëve izraelitë dhe amerikanë dhe Irani nuk do të negocionte me “ata që përpiqen të mbështesin të dyja palët.”

Megjithatë, postimi i mësipërm nuk ofron ndonjë provë, burim apo referencë nga ku është marrë kjo bisedë.
Në të vërtetë, megjithëse biseda e pretenduar është shpërndarë në rrjete sociale në gjuhë të ndryshme, në asnjë version ajo nuk shoqërohet me ndonjë burim. Nuk ka raportime nga media se një bisedë e tillë ka ndodhur apo se Macron ka patur ndonjë komunikim telefonik me Khamenei.
Ka gjasa që pretendimi i paprovuar për një bisedë mes Macron dhe Khamenei e ka origjinën në një keqinterpretim të bisedës reale telefonike që Macron pati me presidentin iranian Masoud Pezeshkian më 15 mars, siç raportoi agjencia e lajmeve Tasnim, e lidhur me Gardën Revolucionare Iraniane, dhe postoi vetë Macron në rrjetin X.

“I bëra thirrje që t’i japë fund menjëherë sulmeve të papranueshme që Irani po kryen kundër vendeve në rajon, qoftë drejtpërdrejt apo nëpërmjet ndërmjetësve, duke përfshirë Libanin dhe Irakun. I kujtova se Franca po vepron brenda një kuadri rreptësisht mbrojtës që synon mbrojtjen e interesave të saj, partnerëve të saj rajonalë dhe lirisë së lundrimit, dhe se është e papranueshme që vendi ynë të jetë në shënjestër. Përshkallëzimi i pakontrolluar që po shohim po e zhyt të gjithë rajonin në kaos, me pasoja të mëdha sot dhe për vitet që vijnë. Populli i Iranit, si ata në të gjithë rajonin, po e paguajnë çmimin. Vetëm një kuadër i ri politik dhe sigurie mund të sigurojë paqe dhe siguri për të gjithë. Një kuadër i tillë duhet të garantojë që Irani të mos fitojë kurrë armë bërthamore, duke adresuar gjithashtu kërcënimet e paraqitura nga programi i tij i raketave balistike dhe aktivitetet e tij destabilizuese në nivel rajonal dhe ndërkombëtar. Liria e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit duhet të rivendoset sa më shpejt të jetë e mundur. Gjithashtu i kërkova Presidentit iranian që të lejojë Cécile Kohler dhe Jacques Paris të kthehen të sigurt në Francë sa më shpejt të jetë e mundur. Vuajtja e tyre ka vazhduar për një kohë shumë të gjatë, dhe ata i përkasin me të dashurit e tyre,” shkroi Macron më 15 mars 2026.
Lideri i ri shpirtëror i Iranit, djali i Ali Khameneit ende nuk është shfaqur publikisht duke shtuar dyshimet se është plagosur apo gjymtuar rëndë gjatë sulmeve me raketa izraelito-amerikane.






