Pretendimi: Aloe vera shëron diabetin përgjithmonë
Verdikti: Mungon konteksti
—————————————————————–
Një postim në Facebook jep lajmin e mirë se aloe vera është “sekreti që ‘shëron’ diabetin përgjithmonë” duke ftuar lexuesit të lexojnë se si ta përdorin në artikullin e portalit inforculture.info.

Megjithatë, lexuesi shpresëplotë mund të zhgënjehet kur të lexojë në brendinë e artikullit se “nuk ekziston një “kurë përfundimtare” për këtë sëmundje kronike”, por “studimet sugjerojnë se aloe vera mund të ndihmojë në uljen e nivelit të sheqerit në gjak dhe përmirësimin e metabolizmit.”
Kështu, titulli i artikullit keqinformon me synim mbledhjen e klikimeve.
Në fakt, siç Faktoje ka shpjeguar më parë, konsensusi mjekësor është se, deri tani, nuk ka një kurë për shërimin e diabetit tip 2, por vetëm mënyra për ta menaxhuar atë.
Diabeti mellitus (DM) një sëmundje kronike, e cila shfaqet kur pankreasi nuk prodhon aspak ose prodhon një sasi të pamjaftueshme insuline, karakterizohet nga hiperglicemia (rritja e sheqerit në gjak), si rezultat i sasisë së pamjaftueshme ose absolute të insulinës (një ndër hormoneve kryesore që prodhon pankreasi). Vlerat normale të sheqerit në gjak janë nga 70-110 mg/dl. Për një person me diabet, vlerat e sheqerit 2 orë pas buke, duhet të jetë > 140 mg/dl. Diabeti është një sëmundje që prek një numër të madh personash në të gjithë botën.
Studimet e kryera së fundmi tregojnë se nuk ka një kurë për diabetin deri më tani, por vetëm trajtime për ta mbajtur nën kontroll.
Disa studime sugjerojnë se lëngu i aloe verës mund të ndihmojë në menaxhimin e niveleve të sheqerit në gjak nëse keni diabet. Megjithatë, kërkimet mbi efektivitetin e tij janë të kufizuara dhe të përziera.
Megjithatë, studiuesit pajtohen se nevojiten më shumë studime tek njerëzit për të kuptuar plotësisht rolin e mundshëm të aloe vera në menaxhimin e diabetit, si dhe për të përcaktuar formën, llojin dhe dozën optimale.
Aloe vera nuk është zëvendësim për ilaçet e përshkruara për diabetin dhe duhet të përdoret vetëm nën mbikëqyrje mjekësore.
Kjo sepse disa nga përfitimet e pretenduara të aloe vera mund të jenë në fakt disavantazhe.
Sipas Qendrës Kombëtare amerikane për Shëndetin Plotësues dhe Integrativ (NCCIH), njerëzit me diabet të tipit 2 që përdorin ilaçe për të ulur sheqerin në gjak duhet të jenë të kujdesshëm në marrjen e aloe verës nga goja. Nëse i kombinoni të dyja, mund të shkaktoni një rënie të ndjeshme të niveleve të sheqerit në gjak (një gjendje serioze e njohur si hipoglicemi).
Kur nivelet e sheqerit në gjak bien shumë, mund të ndiheni të lodhur, të dridhur dhe të djersitur, dhe të keni një ritëm të çrregullt të zemrës. Kur hipoglicemia përkeqësohet, mund të përjetoni konfuzion, shikim të turbullt, kriza ose edhe humbje të vetëdijes.
Dhe për shkak se aloe vera është treguar se ka efekte laksative, ajo mund të ulë përthithjen, dhe si pasojë efektivitetin, e ilaçeve të tjera orale, thotë NCCIH.
Faktoje ka verifikuar një sërë këshillash dhe kurash të rreme që kanë qarkulluar online për të kuruar diabetin.






