Pretendimi: Kjo video zbulon se udhëtimet presidenciale të Macron janë inskenime
Vlerësimi: E pavërtetë
Jona Cenameri
Një video e shpërndarë në Facebook nga një përdorues shqiptar pretendon të zbulojë “realitetin e fshehur” të udhëtimeve presidenciale të Francës. Në pamjet e para, Emmanuel Macron dhe bashkëshortja e tij shihen duke zbritur nga një avion presidencial, por kur kuadri zgjerohet, avioni shfaqet i prerë në mes dhe i vendosur mbi skela, duke sugjeruar se bëhet fjalë për një strukturë të rreme të ndërtuar posaçërisht për inskenim. Mbi video shfaqet mbishkrimi në anglisht: “Eliseja vs Realiteti… Është e gjitha një shfaqe e madhe kjo ku po jetojmë”, duke e paraqitur ngjarjen si mashtrim të krijuar nga Franca.

Nga analiza e parë vizuale, në këndin e sipërm majtas të videos virale dallohet watermark-u “VinzA”, i cili rezulton të jetë gjurma kryesore e origjinës së përmbajtjes. Pasi kryem një kërkim të kundërt të imazhit (reverse image search), u shfaqën disa versione të ngjashme të videos në platforma të tjera sociale, me gjuhë të ndryshme.
Duke ndjekur këtë gjurmë, u hap kanali VinzA në YouTube, ku gjenden video të shumta të stilit satirik, përfshirë edhe videon e Macron duke zbritur nga avioni i rremë. Në përshkrimin zyrtar të kanalit, shkruhet: “Si të ndryshosh këndvështrimin e shikuesit përmes editimit dhe efekteve speciale… Të gjitha videot që kam bërë dhe që do t’i gjeni në këtë kanal janë parodi për qëllime humoristike (dhe edukative). Gjithmonë kontrolloni burimet tuaja kur keni dyshime VinzA.”

Përshkrimi i kanalit VinzA për përmbajtjen humoristike të videove
Pra, vetë krijuesi konfirmon se videot janë parodi të ndërtuara me efekte speciale, jo pamje të vërteta të ngjarjeve politike. Pjesa e avionit të prerë dhe e vendosur në skela është një montazh digjital, i kombinuar me pamjet reale të Macron duke zbritur nga një avion presidencial.
Pamjet origjinale janë regjistruar nga një gazetar i AFP gjatë vizitës së Macron në Madagaskar në prill të vitit 2025. Videoja e AFP-së e datës 23 prill 2025, e titulluar “Macron në Madagaskar, 20 vite pas Chirac”, tregon Macron dhe Brigitte Macron duke zbritur normalisht nga avioni presidencial në Antananarivo, pa asnjë element të skelave apo të strukturës së vendosur në versionin viral.






