Pretendimi: Kjo video tregon forcat Druze duke hedhur dikë nga tarraca

Verdikti: E pavërtetë

————————————————————

Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon forcat Druze në Siri teksa hedhin dikë nga tarraca e një godine. Ky veprim makabër sillet si një provë e mizorive të kësaj etnije të mbështetur nga Izraeli, ndaj civilëve muslimanë në këtë rajon të trazuar nga konfliktet e armatosura.

Megjithatë, me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme është postuar fillimisht nga një llogari në TikTok e quajtur “Maxo Shamoiani.”

Video tregon një kukull që ngjan si njeri që hidhet nga çatia e një ndërtese të lartë.

Video origjinale tregon njerëz që qëndrojnë poshtë ndërtesës duke filmuar skenën. Po atë ditë, llogaria postoi një skenë tjetër që tregon njerëz me uniforma ushtarake duke sulmuar një vend ku ishin të pranishëm burra të armatosur. Kamerat dhe pajisjet e filmimit ishin gjithashtu të dukshme gjatë xhirimeve, duke vërtetuar se skena ishte e sajuar dhe jo e vërtetë.

Mediat siriane raportuan më 17 korrik se fraksionet lokale Druze kishin filluar të vendoseshin në Guvernatoratin As-Suwayda, që përkoi me një zhvendosje të pjesshme të fiseve beduine pas tërheqjes së ushtrisë siriane dhe forcave të sigurisë së brendshme nga zona.

Televizioni Al-Arabiya monitoroi automjete civile të ngarkuara me mobilje shtëpiake, gra dhe fëmijë që po largoheshin nga periferia e Suwayda drejt fshatit Daraa. Kjo vjen mes frikës së madhe midis familjeve beduine për hakmarrje të mundshme, duke pasur parasysh se bijtë e tyre ishin midis palëve në luftime kur ato filluan në Suwayda.