E modifikuar maska me flamurin palestinez në konferencën e Cristiano Ronaldos

978

Cristiano Ronaldo nuk është shfaqur publikisht me një maskë me flamurin e Palestinës. Faktoje verifikoi se foto është e modifikuar dhe se është shkëputur nga një konferencë për shtyp e mbajtur nga ylli i futbollit në vitin 2021.

Në postime të shpërndara në rrjetet sociale në vendin tonë shfaqet Cristiano Ronaldo, teksa mban një maskë me flamurin palestinez. Sipas këtyre pretendimeve, ylli i futbollit në këtë mënyrë po shpreh mbështetjen për popullin palestinez.

Respekt, të jesh njerzor”-shkruajnë përdorues në rrjetet sociale.

Postime të shpërndara në rrjetet sociale

Faktoje vendosi të bëjë një verifikim të fotos së publikuar, fillimisht duke përdorur mjetet e verifikimit të imazheve. Nga kërkimi rezulton se në fakt foto është shkëputur nga një konferencë për shtyp e Ronaldos në qershor të vitit 2021.

Kjo duket qartë, pasi në foto janë dhe shishet e coca-cola dhe ajo konferencë mori vëmendjen e të gjitha mediave botërore, pasi Ronaldo largoi pijet nga tavolina, duke ngritur lart shishen e ujit.

Gjithashtu, ne vëmë edhe një kërkim në internet për të parë nëse kishte një lajm të tillë në mediat e rëndësishme botërore, por nuk gjetëm asnjë informacion që Ronaldo kishte vënë një maskë në mbështetje të Palestinës. Gjithashtu, një pamje më e kujdesshme e pamjeve, të lejon të kuptosh se maska me flamurin palestinez nuk ka të njëjtën përkulje dhe lëvizje të buzëve, por i është mbivendosur filmimit origjinal.

Prej nisjes së konfliktit mes Hamasit dhe Izraelit, yjet e fubollit si Leo Messi, por edhe Cristiano Ronaldo janë “veshur” në rrjetet sociale me flamurin palestinez, duke pretenduar se ata shprehin mbështetjen e plotë ndaj popullit të Palestinës.

Artikujt janë verifikuar nga kolegët e verifikimit të fakteve të “Associated Press”, ku është treguar me fakte se janë thjesht imazhe të rreme, të modifikuara dhe të shpërndara masivisht në mediat sociale.