.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookE mitizuar baza e dikurshme bërthamore e ShBA në Groenlandë

E mitizuar baza e dikurshme bërthamore e ShBA në Groenlandë

Pretendimi: Baza sekrete bërthamore e ShBA në Groenlandë është tre herë më e madhe se Danimarka

Verdikti: Mungon konteksti

—————————————————————

Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se ka një bazë sekrete bërthamore e Shteteve të Bashkuara në Groenlandë, e cila është tre herë sa sipërfaqja e Danimarkës.

Artikulli i portalit Mast.al në brendinë e tij i referohet Camp Century, “një ansambël i nëndheshëm, poshtë akullnajave të Groenlandës, i cili zyrtarisht prezantohej si stacion shkencor”, por “në realitet përbënte pjesë të planit tejet sekret “Iceworm”, të ushtrisë amerikane.”

“Pozicionimi i Camp Century, afro 150 milje në Lindje të bazës Pituffik, u përzgjodh stratigjikisht për të mbajtur rrjetin bërthamor në një sipërfaqe përafërsisht sa 3-fishi i territorit të Danimarkës,” vijon artikulli. 

Në fillim të viteve 1960, gjatë Luftës së Ftohtë, Projekti Iceworm (Krimbi i Akullit) ishte një program top sekret i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, i cili synonte të ndërtonte një rrjet të vendeve të lëshimit të raketave bërthamore të lëvizshme nën shtresën e akullit të Grenlandës. Qëllimi ishte instalimi i një rrjeti të gjerë të vendeve të lëshimit të raketave bërthamore që mund t’i mbijetonin një goditjeje të parë. 

Është e vërtetë se Projekti Iceworm synonte të zgjeronte objektin ekzistues të Camp Century me 134,679 km2 shtesë, tre herë sa sipërfaqja prej 43,094 km2 e Danimarkës, për të strehuar 60 qendra kontrolli lëshimi raketash. Objekti do të kishte ruajtur deri në 600 raketa “Iceman”.

Megjithatë, ky plan nuk u realizua kurrë.

Operacioni u përball me sfida domethënëse, duke përfshirë pengesa burokratike, modifikimin e raketës Iceman për t’i bërë ballë kushteve jashtëzakonisht të ftohta dhe vazhdimin e operacioneve nëntokësore, ndërsa shtresa e akullit të Grenlandës u bë gjithnjë e më e paqëndrueshme. 

Kjo sepse, megjithëse shtresa e akullit të Grenlandës duket, në sipërfaqe, e fortë dhe e palëvizshme, bora dhe akulli janë materiale viskoelastike, të cilat deformohen ngadalë me kalimin e kohës, në varësi të temperaturës dhe densitetit. Pavarësisht nga qëndrueshmëria e saj në dukje, shtresa e akullit është në lëvizje të vazhdueshme, të ngadaltë, duke u përhapur nga qendra për jashtë. Kjo lëvizje përhapëse, gjatë një viti, bën që tunelet dhe llogoret të ngushtohen, pasi muret e tyre deformohen dhe fryhen, duke çuar përfundimisht në një shembje të tavanit. 

Brenda tre viteve pasi u gërmua, mostrat e bërthamës së akullit të marra nga gjeologët që punonin në Camp Century, kampin e themeluar si pjesë e projektit, treguan se akullnaja po lëvizte shumë më shpejt se sa pritej dhe do të shkatërronte tunelet dhe stacionet e ndërtuara brenda rreth dy vitesh.

Ushtria vendosi të mos rrezikonte humbjen e qindra raketave nëse objekti shembej, duke anuluar përfundimisht Projektin Iceworm vetëm tre vjet pasi u ndërtua Camp Century. 

Objekti vazhdoi të funksiononte me kapacitet të kufizuar përpara se të braktisej në vitin 1967. Struktura masive nëntokësore u shemb pak pas kësaj.

prill 2024, NASA fluturoi nëpër Groenlandë për të eksploruar aftësinë e radarit të saj për të vëzhguar veçori brenda profilit të shtresave të akullit. Radari UAVSAR zbuloi një veçori nën akull që NASA ishte në gjendje ta identifikonte si mbetjet e kampit, që tani janë të paktën 30 metra nën sipërfaqe.

Pra, ndryshe nga ç’lë të kuptohet artikulli i mësipërm, baza sekrete bërthamore e ShBA në Grenlandë planifikohej të ishte tre herë sa Danimarka, por Nëna Natyrë kishte plane të tjera. Baza tashmë mbetet e braktisur nën 30 metra borë.

Në vitet e fundit, shkencëtarët e ndryshimeve klimatike kanë paralajmëruar për pasoja të rënda nëse shtresa e akullit të Grenlandës shkrihet mjaftueshëm sa Camp Century të zbulohet. Gjatë funksionimit të tij, reaktori bërthamor i objektit prodhoi mbi 214 mijë litra mbetje radioaktive. Edhe pse reaktori u hoq, këto mbetje mbeten të varrosura nën akull deri më sot. Siç shpjegoi shkencëtari i klimës William Colgan, “ata menduan se nuk do të ekspozoheshin kurrë. Atëherë, në vitet ’60, termi ngrohje globale as nuk ishte shpikur. Por klima po ndryshon dhe pyetja tani është nëse ajo që është atje poshtë do të qëndrojë atje poshtë.” Disa shkencëtarë kanë parashikuar se vendi ku ndodhet Camp Century do të fillojë të humbasë akullin deri në vitin 2090.

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img