Pretendimi: Video tregon Trumpin duke përmendur komplote botërore kundër fertilitetit
Verdikti: E pavërtetë/Imazh i manipuluar
Barbara Halla
Në mediat sociale shqiptare po qarkullon një video e presidentit amerikan Donald Trump duke folur për teori të ndryshme konspiracioni. Në një konferencë nga Shtëpia e Bardhë, dëgjohet Trump që denoncon ekzistencën e një axhende të personazheve si Bill Gates apo George Soros për të shpopulluar botën duke i kthyer burrat në eunuku. Përtej dyshimeve të shprehura më parë ndaj Soros, presidenti i ShBA nuk ka publikuar një deklaratë të tillë dhe rezulton se klipi është manipuluar përmes Inteligjencës Artificiale.

Në mediat sociale shqiptare, ky klip i manipuluar është shpërndarë duke përdorur hashtag-un “Zgjohu” apo “KërkotëVërtetën” duke sugjeruar se ky klip po zbulon të vërtetën pas teorive konspirative. Në fakt, ky klip është pjesë e disa teorive konspirative kundër personazheve si Bill Gates apo George Soros, që akuzohen shpesh se po manipulojnë politikën botërore në mënyrë të fshehtë.
Klipi në fjalë e ka origjinën në rrjetin social Twitter/X, ku është postuar nga një faqe që e përshkruan veten si një profil “satirë”. Siç e shpjegon dhe faqja e verifikimit të fakteve Lead Stories, kjo llogari shpesh poston video të manipuluar me Inteligjencën Artificiale për të gjeneruar klikime dhe shikime, të cilat i sjellin të ardhura të konsiderueshme.
Në fund te videos origjinale të krijuar nga llogaria Maveric Alexander shkruhet fjalia: “Këtu bëhet fjalë për një video të rreme [deepfake], po le ti lëmë njerëzit të ëndërrojnë.” Kjo deklaratë që tregon origjinën e manipuluar të videos është hequr nga faqet shqiptare që e kanë shpëndarë atë.

Videoja vetë është verifikuar edhe nga platforma Twitter/X, ku përdoruesit kanë treguar se pamjet origjinale të konferencës janë publikuar në datë 25 prill 2025. Në këtë video, Trump po jep një deklaratë përgjatë ceremonisë së betimit të Paul Atkins në pozicionin e kryetarit të Komisionit të Letrave me Vlerë dhe Bursave (Security and Exchange Commission).

Gjatë kësaj daljeje publike presidenti Trump nuk përmend në asnjë moment dyshime për agjenda shpopullimi apo denoncime të tjera ndaj Gates dhe Soros.