Pretendimi: Shefi i sigurisë ukrainase Oleksiy Danilov ka quajtur sulmin terrorist në Moskë “argëtues”.

Verdikti: Video e manipuluar

—————————————-

Në rrjete sociale po qarkullon një video që pretendohet se tregon kreun e Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes ukrainas, Oleksiy Danilov, duke folur për sulmet terroriste që lanë të paktën 137 njerëz të vrarë në Moskë, më 22 mars 2024.

Sipas titrave të videos, Danilov deklaron: “A është qejf në Moskë sot? Për mendimin tim, është shumë argëtuese. Dua të besoj që do të organizojmë argëtime të tilla për ta më shpesh. Në fund të fundit, ne jemi popuj vëllezër, dhe duhet t’i bëjmë qejfin kushërinjve tanë më shpesh dhe t’i vizitojmë më shpesh. Kështu, ne do shkojmë.”

Këto fjalë të pretenduara të Danilov insinuojnë gjithashtu se ai po merr përgjegjësi për sulmin e 22 marsit në Moskë.

Më 22 mars, katër burra të armatosur hapën zjarr në sallën e koncerteve Crocus City Hall në Moskë, dhe i vunë flakën vendit, duke vrarë të paktën 137 njerëz. Një fraksion i grupit terrorist islamik ISIS mori përgjegjësi publike për sulmin, duke publikuar edhe një video të xhiruar nga një prej terroristëve gjatë sulmit.

Përsa i përket video së shefit të shërbimeve ukrainase, rezulton se është gjeneruar me anë të programeve kompjuterike. Ajo është krijuar duke bashkuar dy video të ndryshme dhe duke i shtuar audio të gjeneruar me anë të programeve të inteligjencës artificiale.

Një nga videot është një intervistë e kreut të spiunazhit ukrainas Kyrylo Budanov, më 16 mars 2024.

Ekrani i Budanov në videon e mësipërme është zëvendësuar me një klip të Danilov, marrë nga një intervistë e tij më 19 mars 2024.

Një klip audio i Danilov i gjeneruar me anë të programeve AI është mbivendosur mbi videon përfundimtare.