Pretendimi: Një shqiptar në Angli zbuloi një bunker në oborrin e shtëpisë

Verdikti: E pavërtetë

———————————————————-

“Shqiptari ne Angli gjen dicka ne oborrin e tij, Shikoni pamjet se cfare i ndodh me pas nga shteti” është një titull tipik shkruar me qëllim mbledhjen e sa më shumë klikimeve nga lexuesit kureshtarë.

Postimi në Facebook, në mënyrë tipike, drejton lexuesit kureshtarë drejt një lidhjeje në komente për të zbuluar çfarë ndodh pas këtij zbulimi.

Po në mënyrë tipike, në brendinë e tij, artikulli i shkruar me një shqipe të çalë e ridrejton lexuesin tek një video 10-minutëshe në Youtube. 

Video pretendon se një burrë i quajtur Simon Marku kishte gjetur një bunker të Luftës së Dytë Botërore në oborrin e shtëpisë.

Megjithatë, me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se kjo ngjarje nuk i ka ndodhur një shqiptari të quajtur Simon Marku, por një anglezi të quajtur Simon Marks.

Sipas mediave vendase, në 2016, Simon Marks nga Luton zbuloi atë që mendohet të jetë një strehë kundërajrore nën oborrin e tij, pasi rrota e makinës së tij ngeci në një gropë.