Foto e ushtares izraelite me parullën “Unë vras fëmijë” është manipulim. Verifikimi i Faktoje zbuloi se në foton origjinale pankarta shkruan “Kurrë më është tani” duke iu referuar kujtimit të Holokaustit.
———————————————-
Në rrjete sociale po shpërndahet foto e një ushtareje, e cila pretendohet se është izraelite, që mban në dorë një pankartë me yllin hebre të Davidit, ku shkruhet: “Unë vras fëmijë”.
Foto nxiti një numër komentesh të dhunshme në rrjete sociale.
Me anë të motorit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, Faktoje zbuloi se imazhi i mësipërm është manipuluar.
Foto origjinale është postuar në 2 nëntor 2023 në Twitter nga vetë gruaja në foto, Natalia Fadeev.
Në foton origjinale, pankarta që Fadeev mban në duar shkruan: “Kurrë më është tani”, duke iu referuar frazës “Kurrë më” e cila përdorej nga të burgosurit në kampin e përqendrimit Buchenwald si sllogan anti-fashist. Kjo frazë është përdorur në vijim në lidhje me Holokaustin dhe gjenocide të tjera.
Natalia Fadeev, një modele izraelite me ndjekie të gjerë në rrjete sociale, vetëpërshkruhet si “rezerviste e ushtrisë izraelite”. Ajo vendosi të regjistrohet në ushtrinë pas sulmit të Hamas më 7 tetor, që la të vdekur 1200 civilë izraelitë.