Pretendimi: Kjo foto tregon mbretin Abdullah II të Jordanisë veshur me uniformën ushtarake izraelite.
Verdikti: Foto e manipuluar, Satirë
—————————————
Të shtunën, më 13 prill 2024, Irani sulmoi për herë të parë në mënyrë direkte armikun e tij Izraelin, duke gjuajtur mbi 300 raketa dhe drone në drejtimin e tij. Shumica e tyre u perceptuan dhe u rrëzuan nga forcat amerikane, angleze, franceze dhe jordaniane.
Jordania, e cila ka kritikuar ashpër veprimet e Izraelit gjatë luftës në Gaza, rrëzoi dhjetëra drone iraniane që kaluan në hapësirën e saj ajrore. Ky veprim u pasua me pakënaqësi nga publiku si brenda vendit, dhe në rajon, dhe, sigurisht, në rrjete sociale.
Kështu, së fundmi në rrjete sociale po qarkullon një imazh që duket se tregon mbretin e Jordanisë Abdullah II veshur me uniformën e ushtrisë së Izraelit.
Imazhi i mësipërm është dukshëm i manipuluar. Koka e Abdullah II është mbivendosur një trupi të veshur me uniformën ushtarake izraelite.
Me anë të motorit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, Faktoje zbuloi edhe versione të tjera të këtij manipulimi, i cili me sa duket përdoret shpesh për të ironizuar lider të Lindjes së Mesme si vegla të Izraelit. Presidenti egjiptian Abdel Fattah El=Sisi pati të njejtin fat në Nëntor.
Faktoje gjeti dhe se kujt i përket ky trup i shumëpërdorur në manipulime fotografish. Foto origjinale është foto e profilit në Facebook e Avichay Adraee, kreu i degës arabe të Njësisë Zëdhënëse të ushtrisë izraelite.
Avichay Adraee
Sa i përket rrëzimit të droneve iranianë, zyrtarët jordanianë këmbëngulin se përfshirja e Jordanisë ishte në mbrojtje të sovranitetit të saj në hapësirën e saj ajrore. Ministri i Jashtëm i Jordanisë, Ayman al-Safadi, i cili ka mbështetur zëshëm palestinezët gjatë gjashtë muajve të fundit, i tha mediave vendase të dielën se ishte bërë një vlerësim se ekzistonte një rrezik real nga dronët dhe raketat iraniane që binin mbi Jordaninë dhe forcat e armatosura u përballën me këtë rrezik. Nëse kërcënimi do të kishte ardhur nga Izraeli, vuri në dukje ai, Jordania do të ndërmerrte të njëjtin veprim.