Pretendimi: Ky imazh tregon dekorimin e bashkëpunëtores së trafikantit amerikan Jeffrey Epstein, Ghislaine Maxwell, nga presidenti amerikan Donald Trump

Verdikti: Foto e manipuluar

———————————————————-

Një imazh që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, duket se tregon presidentin amerikan Donald Trump duke dekoruar me një medalje Ghislaine Maxwell, bashkëpunëtoren e trafikantit dhe pedofilit amerikan Jeffrey Epstein. 

Prokurorët federalë në Manhatan e akuzuan Jeffrey Epstein për trafik seksual në vitin 2019, duke thënë se ai drejtonte një rrjet ndërkombëtar duke shënjestruar vajza të mitura me ndihmën e Maxwell. Epstein u vetëvra në vitin 2019 ndërsa ishte në burg në pritje të gjyqit. Maxwell u dënua në 2022 me 20 vjet burg

Imazhi qarkullon pas raportimeve se Maxwell mund të jetë e gatshme të dëshmojë para Kongresit në lidhje me aktivitetet e Epstein. Prej kohësh është bërë publike se Trump, së bashku me figura të tjera të shquara, kishte një marrëdhënie me Epstein dhe se përmendej në dokumentet e publikuara në çështjet gjyqësore që e përfshijnë atë. Trump nuk është akuzuar për ndonjë shkelje të lidhur me Epstein. Ghislaine Maxwell po kërkon falje presidenciale nga Trump.

Megjithatë, me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti versionin origjinal të imazhit të mësipërm. 

Foto origjinale tregon Trump në vitin 2018 duke i dhënë Medaljen Presidenciale të Lirisë Miriam Adelson, mjeke, filantrope dhe humanitare, dhe gruaja e Sheldon Adelson, një manjat kazinosh në Las Vegas i konsideruar si një nga donatorët më të fuqishëm republikanë.
Në fillim të korrikut 2025, Departamenti Amerikan i Drejtësisë dhe FBI njoftuan në një memorandum se nuk ekzistonte asnjë “listë klientësh” e Epstein, pavarësisht se Prokurorja e Përgjithshme Pam Bondi iu përgjigj një pyetjeje në lidhje me listën e supozuar në Fox News në shkurt 2025, duke thënë se ajo ishte në tavolinën e saj për shqyrtim. Pas publikimit të memorandumit, Bondi kërkoi të sqaronte vërrejtjet e saj nga muaj më parë, duke pretenduar se komenti i saj “në tavolinën time” thjesht i referohej një dosjeje të përgjithshme që lidhej me Epstein, dhe jo një “liste klientësh.”