Një kronikë e CNN duket se tregon një grua në Ohio duke hedhur ilegalisht një tufë votash në një kuti votimi. Verifikimi i Faktoje zbuloi se depozitimi i disa votave nuk është i jashtëligjshëm, për aq kohë sa ato janë nga e njejta familje.

————————————–

7 nëntor 2023, shteti amerikan i Ohio mbajti zgjedhje të përgjithshme, gjatë së cilave qytetarët votuan mbi dy çështje: të drejtën e abortit dhe legalizimin e marijuanës.

Këto zgjedhje duket se kanë ringjallur dezinformimin mbi procesin elektoral amerikan në rrjete sociale.

Një kronikë e CNN po qarkullon në rrjet me pretendimin se në të shfaqet momenti kur një grua depoziton ilegalisht disa zarfe votash në një kuti votimi në Ohio.

Në video shfaqet korrespondenti i CNN duke qëndruar përpara kutisë së votimit me postë në Ohio. Ndërkohë një grua del nga makina dhe vërehet se hedh disa zarfe që ka në dorë në kutinë e votimit.

Megjithatë, siç dëshmohet nga maskat që të dy personat në video kanë vënë, dhe titulli i kronikës së CNN që flet për garën elektorale mes Joe Biden dhe Donald Trump, video e mësipërme është nga viti 2020, kur u mbajtën zgjedhjet e kaluara presidenciale në ShBA.

Për më tepër, sipas Associated Press, zyrtarët elektoralë dhe grupet e vëzhgimit të qeverisë thonë se nuk ka asgjë të dyshimtë ligjërisht në veprimin e gruas në video.

Duket se në video ajo ka në dorë të paktën tre fletë votimi, gjë që është e drejta e saj të depozitojë në kutinë e votimit, për aq kohë sa ato janë nga pjesëtarë familjeje që kanë dhënë pëlqimin e tyre.

Anthony Perlatti, kreu i bordit zgjedhor të kontesë Cuyahoga, ku video është xhiruar, tha se gruaja në video duket se po mban 3 zarfe votash në dorë, të dallueshme nga ngjyra e tyre e  kuqërremtë. Ai shtoi se letrat e tjera që gruaja ka në dorë nuk duket të jenë fletë votimi.

Ligji i Ohio i lejon qytetarët e tij të depozitojnë fletë votimi të plotësuara në vend të të afërmve të tyre, përfshi këtu bashkëshorten/in, prindërit, vjehërrit, gjyshërit, motrat ose vëllezërit, etj.

Pjesëtarët e familjes që mund të depozitojnë fletë-votimin janë: babai, mamaja, vjehrri, vjehrra, gjyshi, gjyshja, vëllai ose motra (përfshi edhe ato me vetëm një prind të përbashkët), biri, bija, prindi adoptues, fëmija i adoptuar, njerku, njerka, thjeshtri, thjeshtra, xhaxhai, daja, halla, tezja, nipi, dhe mbesa.

Catherine Turcer, drejtore ekzekutive e organizatës Common Cause Ohio, shtoi se në 2020, si pasojë e pandemisë Covid-19, shumë qytetarë të Ohio zgjodhën të votonin ‘në mungesë’ duke zgjedhur që një person i familjes të depozitonte votat për të gjithë pjesëtarët e tjerë.

Tom Sutton, profesor i shkencave politike në Baldin Wallace University në Ohio, tha se në legjislacionin e shtetit nuk ka një numër limit votash që dikush mund të depozitojë në këtë mënyrë. Teorikisht, dikush mund të depozitojë një ose më shumë fletë votimi për secilën nga 19 kategoritë e pjesëtarëve të familjes së listuar në ligj.