.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookE keqinterpretuar stërvitja ushtarake kineze në Egjipt 

E keqinterpretuar stërvitja ushtarake kineze në Egjipt 

Pretendimi: Kjo video tregon avionë kinezë që po dërgojnë ndihma nga Egjipti drejt Rripit të Gazës

Verdikti: E pavërtetë

Një video e disa avionëve ushtarakë në ajër mbi piramidat e Egjiptit po shpërndahet së fundmi në rrjete sociale duke pretenduar se tregon avionët kinezë që sfiduan bllokimin e fluturimeve mbi Gaza nga ushtria izraelite. Një llogari në Facebook e publikoi këtë pretendim më 17 maj 2025, së bashku me përshkrimin e mëposhtëm: “Kina dërgon avionë me ndihma në Gaza, të shoqëruar nga avionë luftarakë.”

Ndërkohë, shumë llogari dhe faqe në Facebook e shpërndanë pretendimin, përfshi edhe përdorues të këtij rrjeti në Shqipëri. 

“Kina s’pyet askënd – dërgon avionë me ndihma dhe sfidon bllokadën”, shkruan një profil shqiptar teksa shpërndan videon ne facebook.  

Kolegët tanë nga ekipi i “Fatabyano” kanë verifikuar pretendimin duke zbuluar se në fakt bëhet fjalë për një stërvitje të përbashkët ushtarake egjiptiano-kineze në Egjipt.

Një kërkim me anë të “reverse image search” në Google, duke përdorur një pamje të shkëputur nga videoja e pretenduar, të çon në Instagram, ku një llogari kishte publikuar pamje të ngjashme2 maj 2025, duke pretenduar se ishin nga stërvitje ushtarake e përbashkët mes Kinës dhe Egjiptit.

Duke vijuar kërkimin me fjalë kyçe, gjen disa burime kineze që kishin publikuar pamje të ngjashme, duke deklaruar se ishin nga stërvitje ajrore të përbashkëta mes ushtrive kineze dhe egjiptiane.

Edhe një raportim i Reuters më datë 6 maj 2025, shkruan: “Uturima e avionëve luftarakë kinezë ushtoi mbi piramidat egjiptiane dhe mund të përhapet në gjithë Lindjen e Mesme, ndërsa Pekini përfundoi stërvitjet ushtarake me Kajron që synojnë të dobësojnë ndikimin strategjik të SHBA-së në këtë rajon të paqëndrueshëm.”

Raportimi shoqërohet gjithashtu me një foto të të njëjtëve avionë që shfaqen në videon që është shpërndarë së fundmi, duke thënë se avionët janë nga stërvitjet e përbashkëta mes ushtrive kineze dhe egjiptiane më 1 maj 2025.

Për më tepër, më 6 maj 2025, faqja zyrtare e zëdhënësit ushtarak të Forcave të Armatosura Egjiptiane publikoi një seri fotosh nga stërvitja ajrore e përbashkët egjiptiano-kineze “Shqiponjat e Qytetërimit 2025”, e cila u zhvillua për disa ditë në një bazë ajrore në Republikën Arabe të Egjiptit.

Po ashtu, Shërbimi Informativ Shtetëror i Egjiptit publikoi të njëjtat imazhe në një raport të titulluar “Stërvitja e Përbashkët Egjiptiano-Kineze (Shqiponjat e Qytetërimit 2025),” që mbulonte zhvillimet kryesore të stërvitjes nga nisja më 19 prill 2025 deri në përfundimin e saj më 6 maj 2025. 

Një nga skenat e videos së pretenduar shfaqet në një nga imazhet e bashkangjitura në raport, si më poshtë: 

Krahasim midis një pamjeje të shkëputur nga klipi i pretenduar (djathtas) dhe një imazhi nga raporti i Shërbimit Informativ Shtetëror të Egjiptit (majtas).

Esmeralda Topi
Esmeralda Topi
Redaktore Esmeralda Topi është gazetare pranë qendrës Faktoje prej vitit 2022. Ajo ka punuar si gazetare ekonomie që nga viti 2010, në televizion, shtypin e shkruar dhe atë online. Esmeralda ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës për “Gazetari”. Në të njëjtin fakultet ajo ka kryer edhe studimet në nivelin “Master Shkencor” për “Marrëdhënie me Publikun”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img