Pretendimi: Rabini në këtë video pranon se “Rabinët” kanë rrëzuar Kullat Binjake më 11 shtator

Verdikti: Mungon konteksti

—————————————————–

Një video që ka marrë mbi 300 pëlqime në Facebook pretendohet se tregon “vetë Rabinët”“pranojnë se kanë rrëzuar Kullat Binjake sepse rrëzimi i kullave Binjake në New York ishte një profetësi hebraike dhe pikënisja e shumë luftrave që do rezultojë me ardhjen e Mesias së tyre (hebrejve).”

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se klipi i mësipërm është shkëputur nga një video më e gjatë, e botuar në Youtube në 2013 nga llogaria e Rabin Abraham Benhaim, burrit që shfaqet në të.

Video e titulluar “Parashikime nga Zohar & Misteret e Jetës” është 1 orë e 27 minuta e gjatë. Në të, rabini, ndër të tjera pretendon se Zohar, teksti më i rëndësishëm i Kabalës, një shkollë mendimi ezoterike në misticizmin hebraik, parashikon shfaqjen e Osama Bin Laden dhe shkatërrimin e Kullave Binjake në New York, më 11 shtator 2001.

“Sot, ata nga ne që kanë fatin të munden të shkojnë tek librat dhe të kuptojnë pakashumë gjithçka, do të zbulojnë një bollëk informacioni që do t’ju tërbojë”, thotë rabini.

Ai përmend Osama Bin Laden, “një buburrec që nuk dihet nga doli”, dhe pretendon se në tekstin e Zohar, “shkruar 2000 vjet më parë” shkruhej se do të jetë një “qen” me emrin Bin Laden që do të shkaktojë luftëra dhe kaos nëpër botë.

Më tej, ai pretendon se, po në Zohar, shkruhet se “do të jenë dy godina të mëdha në Edom, që ne sot e lidhim me Amerikën, godinat më të larta në botë, dhe do të shkatërrohen krejtësisht dhe kjo do të jetë shenja e fillimit të luftrave të tmerrshme që do të përfundojnë me ardhjen e Mesias.”

Rabini më pas tregon një histori se si një javë përpara shkatërrimit të Kullave, një rabin izraelit ndaloi për t’u lutur rastësisht përpara tyre dhe pas lutjes tha se këto ndërtesa nuk do të shihen më.

Në asnjë moment rabini nuk pranoi apo insinuoi se “ata”, qofshin rabinët, hebrenjtë apo Izraeli, kanë shkatërruar Kullat Binjake. 

Duket se ai është thjesht një tjetër figurë fetare që pretendon se teksti i tij fetar ka parashikuar një ngjarje pasi ajo ka ndodhur tashmë.