Pretendimi: Ushtarë francezë ndodhen në Moldavi gjatë fushatës së zgjedhjeve parlamentare

Verdikti: Mungon konteksti

———————————————–

Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon një foto e shoqëruar me përshkrimin “Ushtarët francezë u panë në një market në Moldavi.”

Foto u shpërnda në prag të zgjedhjeve parlamentare të 28 shtatorit në Moldavi, të cilat u zhvilluan nën dyshimet për një ndërhyrje të mundshme nga Rusia. 

Më 23 shtator 2025, Ministria moldave e Mbrojtjes mohoi pretendimet që qarkullonin në disa kanale Telegram lidhur me praninë e personelit ushtarak të huaj në një zonë publike në Cimişlia, duke i etiketuar këto interpretime si të pasakta.

Sipas institucionit, individët në foto janë atashe të mbrojtjes të akredituar, të cilët kohët e fundit vizituan një njësi ushtarake në garnizonin e Cahulit për një mision monitorimi.

Përfaqësuesit e Ministrisë theksojnë se atashetë ushtarakë janë anëtarë të stafit diplomatik të ambasadave dhe janë punonjës të përhershëm të misioneve të akredituara në Republikën e Moldavisë, duke koordinuar bashkëpunimin dypalësh në fushën e mbrojtjes.

Për më tepër, kjo vizitë ishte përfshirë në Planin e Aktiviteteve të Brendshme të Ushtrisë Kombëtare për vitin 2025 dhe nuk kishte lidhje me zgjedhjet e së dielës. 

Zgjedhjet në Moldavi konsideroheshin me rrezik të lartë për shkak të përballjes së forcave politike që nxisin orientimin drejt Bashkimit Europian dhe atyre proruse. Partia e Veprimit dhe Solidaritetit (PAS) e presidentes Maia Sandu shpalli fitoren paraprake ndërkohë që rezultati u përshëndet nga presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, duke e quajtur një zgjedhje për “Europën, demokracinë dhe lirinë”.