Pretendimi: Kjo video tregon oficerë policie duke u përleshur me një protestues të dhunshëm në Los Angeles

Verdikti: E pavërtetë

————————————————-

Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon tre oficerë policie në Los Angeles duke u përleshur me një protestues të dhunshëm.

Megjithatë, me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se pamjet në video shfaqen në një numër artikujsh të mediave amerikane që raportonin për një burrë që kishte goditur “tre policë të North Dakota.”

Sipas TMZ, policia e Fargo, në shtetin e North Dakota, iu afrua burrit të quajtur Joseph Manitowabi pas një informacioni nga Qendra e Krimit në Kohë Reale e qytetit. Kur oficerët u përpoqën ta kapnin, nisi një përballje fizike.

Më tej, artikulli i TMZ sqaron se “disa njerëz në internet sugjerojnë se ai po përpiqej të bënte një deklaratë kundër politikës së emigracionit të Trump… megjithëse incidenti duket të mos jetë gjë tjetër veçse një tentativë arrestimi për drogë.”

Pavarësisht pikëpamjeve politike të Manitowabi, pretendimi se video ku ai përleshet me policët tregon një protestues në Los Angeles është i rremë.